Këshilltarja që paguante “room service” me para të shtetit propozohet për Ministre të Jashtme
Është arritur marrëveshja për koalicion në mes LDK-së dhe AAK-së.
Për marrëveshjen të koalicionit ka njoftuar, vete i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se AAK-së do t’i takojnë katër ministri në qeverinë të cilës pritet t’i prijë Avdullah Hoti.
Haradinaj tha se në ministrinë e Punëve të Jashtme, ministre do të propozohet, Meliza Haradinaj -Stublla.
Por, në tetor të vitit 2019, Meliza Haradinaj ishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë, çka do të thotë se ajo akoma nuk e ka kryer dënimin, shkruan lajmi.net.
Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht Meliza Haradinaj -Stubllën, pasi si zyrtare e lartë që ishte, këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj ajo kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, për të dënuarën nuk do të ekzekutohet vendimi me burgim nëse gjatë 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.
Ajo akuzohej se me rastin e marrjes së detyrës si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 11 shtator 2017, nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion pronësinë e saj mbi biznesin “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, edhe pse ka qenë e obliguar.
Me këtë ajo kishte bërë shkelje bazuar në Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik.
Ndryshe, Meliza Haradinaj, sa ishte keshilltare e ish-Kryeministir Ramush Haradinaj, mbahet mend se si me paratë e taksapaguesve, “room service” kishte paguar në një hotel Meliza Haradinaj, kur në fund të vitit të 2018-s ishte pjesë e një udhëtimi zyrtar në Vjenë. Vizitën e kishte bërë në cilësinë e këshilltares së Ramush Haradinajt, që atëkohë ishte kryeministër.
Shërbimi në dhomë, çfarë kishte kërkuar Haradinaj, ofrohet kryesisht nga hotele të shtrenjtat dhe kostoja për shërbim të këtillë është ekstra pagesës së dhomës së hotelit. Të tilla shërbime kryesisht kërkohen nga të pasurit. Është shërbim luksi, meqë, mes tjerash, iu mundësohet mysafirëve të përzgjedhin ushqimet dhe pijet, dhe ato t’iu shërbehen në dhomë.
Fatura është lëshuar më 20 nëntor të 2018-s nga hoteli “Le Meridien” dhe një kopje të së cilës e kishte siguruar Koha Ditore”“.
Si këshilltare e kryeministrit, ajo krahas pagës, drekave dhe derivateve, i kishte shpenzuar edhe rreth 20 mijë euro.
Të mërkurën, ish-këshilltarja e kryeministrit është propozuar për ministre të Punëve të Jashtme të Kosovës, në Qeverinë që synon ta ndërtojnë LDK-ja, AAK-ja, Nisma, dhe partitë e komuniteteve pakicë, më kryesorja prej të cilave është Lista Serbe.