Këshilltari për Siguri Kombëtare i Trump: Kënaqësi t’i pres liderët e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë
Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, Robert O’Brien ka mirëpritur takimin e 27 qershorit midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.
I Dërguari Special i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi ka organizuar një takim midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, shkruan lajmi.net.
Takimi i cili do të jetë edhe hapi i parë i rifillimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë drejt një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse me njohje reciproke është mirëpritur edhe nga Këshilltari i Për Siguri Kombëtare i Donald Trump, Robert O’Brien.
Ai është shprehur se mirëpret liderët e Kosovës dhe Serbisë së bashku me Richard Grenellin në Shtëpinë e Bardhë duke shtuar se SHBA-të janë të interesuara për këto bisedime.
“Kam kënaqësinë të pres liderët e Serbisë dhe Kosovës me Richard Grenellin në Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara janë duke pritur për këto diskutime të rëndësishme. – Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien”, thuhet në reagimin e llogarisë të Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-ve në Twitter.
“I am pleased to host the leaders of Serbia and Kosovo with @RichardGrenell at the White House. The United States is looking forward to these important discussions.” – NSA Robert O’Brien https://t.co/39hPbXJkXh
— NSC (@WHNSC) June 16, 2020
Ky takim është konfirmuar nga vet Richard Grenell. Në anën tjetër, për vizitë në Kosovë po qëndron emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak i cili ka folur me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti lidhur me rifillimin e dialogut.
Me vizitën e Lajçak në Kosovë (dhe në Serbi pas pak ditësh) dhe ftesën e Grenell për takim midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, përpjekjet për rifillimin e dialogut dhe marrëveshjen përfundimtare janë intensifikuar.