Këshilltari i Thaçit i reagon Vetëvendosjes, ja çka i publikon
Kanë vazhduar replikat ndërmjet zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe këshilltarit të Presidentit Thaçi, Adil Behramaj.
Pas reagimit të Adnan Rrustemit të Lëvizjes Vetëvendosjes, i cili i kishte quajtur shpifje deklaratat e Behramajt lidhur me karantinimin në veri, nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur sërish reagimi i këtij të fundit.
Behramaj ka thënë nga Vetëvendosje është dashur të tregohen transparentë me qytetarët. Ai madje i ka publikuar edhe vendimet e sotme të Qeverisë së Kosovës për Mitrovicën e veriut dhe Zveçanit, të cilat mbajnë datën e sotme, 9 prill, që është ditë pushimi për shkak të Ditës së Kushtetutës.
“Më paska reaguar njëfarë Adnan Rrustemi prej Lëvizjes Vetëvendosje. Më erdhi keq për të kur e pashë që nuk dinte ta dallonte as opinionin prej thirrjes publike. Por, i gjithë sekti politik i tyre kështu gjithmonë mundohen t’i devijojnë debatet publike kur kurthohen në gënjeshtrat e tyre. Qenka përpëlitur, njëjtë sikurse e gjithë armata propaganduese e tyre, që ta ndërlidhin reagimin me pandeminë, pa deklaruar unë askund që ai ligj nuk është në fuqi.
I padashur injorant, sepse më juve zakonisht nuk humbi shumë kohë, thjesht ju kam treguar që ai është ligj i UNMIK-ut, që Albin Kurti tërë trashëgiminë politike e kishte ndërtuar duke e kundërshtuar. Edhe mos u mundoni të na tërhiqni në moçalin tuaj të turbullt, se nuk ua japim atë kënaqësi. Por, sa silleni e pështilleni duke i koleksionuar gënjeshtrat tuaja është dashur të tregoheni transparentë me qytetarët. Problemin e kuptojmë, por nuk kemi pse t’i mirëkuptojmë edhe gënjeshtrat tuaja!
Ndërsa, për pandeminë, në çdo kohë, përherë, gjithherë, po shprehem si ai hyjnori juaj, meqë ju vetëm atë gjuhë e kuptoni, ne kemi bërë dhe u bëjmë thirrje qytetarëve për masa dhe kujdes të shtuar. Pandalshëm iu kemi bërë dhe iu bëjmë thirrje edhe për respektim të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, me punën e të cilit ju politikisht po propagandoni. Por, personalisht, në asnjë rrethanë nuk do të heshti kur në emër të pandemisë, për nevoja politike të një kryeministri të papërgjegjshëm, provohet të ndërtohet praktika e shkeljes së Kushtetutës dhe ligjeve që me shumë mund janë bërë në kohën kur soji yt dhe i atyre partizanëve të tjerë shkatërronit çdo gjë!
Ju do të mbaheni mend gjatë për shkelje rekorde të Kushtetutës. Por, për t’u mbajtur mend edhe si mashtrues, po ua publikoj edhe vendimet e datës së sotme për dy komunat në veriun e Kosovës.
Ato komuna nga 1 prilli e kanë të kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe nga 3 prilli janë karantinuar nga Qeveria e Serbisë, kurse ju që thoshit se vendimet e Qeverisë së Kosovës po i zbatonin, pa ekzistuar asnjë i tillë, sot kur institucionet zyrtarisht pushojnë paskeni provuar të kamufloni!
Qeveri më të padijshme kurrë nuk ka pas Republika e Kosovës. Madje, jo vetëm Qeveri të Republikës, por edhe ato të IPVQ-së kanë qenë më të dijshme se kjo e juaja në ikje!”, ka shkruar Behramaj.