Këshilltari i Kurtit publikon dokumentin: Kushtet e Serbisë u bën qëndrime të BE-së
Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka publikuar një dokument “gjashtëmujor të vjetër” me të cilin thotë se kushtet e Serbisë u bën qëndrime të Bashkimit Evropian në takimin e djeshëm në Bruksel që rezultoi pa ndonjë sukses.
Zulfaj në Twitter ka shkruar se ky dokument, i propozuar më herët nga Serbia, u përdor dje nga lehtësuesi [BE] për të mbuluar mungesën e përpjekjeve të Serbisë për planin e sekuencimit.
“Një dokument gjashtëmujor i vjetër u përdor dje nga lehtësuesi për të mbuluar mungesën e përpjekjeve të Serbisë për planin e sekuencimit. Megjithatë, dokumenti është shumë i dobishëm për të kuptuar se si kushtet e Vuçiqit u bën qëndrime të BE-së”, ka shkruar Zulfaj.
Sipas tij, dokumenti shpjegon edhe aneksin e zbatimit jo optimal të paraqitur në Ohër, si dhe “përcaktimin e mëvonshëm të marrëveshjes bazë nga lehtësuesi me drafte të njëanshme, të pabalancuara dhe jo të plota”.
Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takuan dje në Bruksel, takim që në fund nuk pati ndonjë rezultat. BE-ja ka thënë se Vuçiqi e kishte pranuar propozimin e tyre, por jo edhe Kurti. Kryeministri i Kosovës pas takimit ka thënë se qëndrimi i Serbisë është bërë qëndrim i BE-së. Akuza për njëanshmëri të BE-së ka pasur edhe nga akterë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, partia në pushtet që udhëhiqet nga Kurti.