Këshilli… jashtë funksionit që 6 muaj, Kuvendi s’i emëron anëtarët e rinj
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), ka mbetur tash e disa muaj jashtë funksionit si pasojë e mos emërimit të anëtarëve të rinj në këtë institucion të rëndësishëm. Komisioni ‘ad hoc’ i Kuvendi të Kosovës tashmë ka kryer të gjitha procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve të cilët do të dalin në seancë plenare për votim.
Gjashtë kandidatët me të suksesshëm ka përzgjedhur Komisioni, nga të cilët tre do të emërohen në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Faruk Rexhaj, Lulzim Aliaj, Shkëmb Manaj, Zylë Gojnovci, Ramadan Gashi dhe Mërgim Himaj, janë kandidatët që kanë marrë miratimin e anëtarëve të Komisionit për shkuar në seancë plenare për votim, shkruan FaktePlus.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e Komisonit ‘ad hoc’ thonë se nuk e dinë arsyen pse po vonohet emërimi i tyre në KPMSHCK.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se po dëmtohet mjaft shumë ky institucion duke qenë se janë grumbulluar qindra lëndë për shqyrtim dhe ato nuk po mund të marrin epilog si pasojë e mos kompletimit të Këshillit.
“Po, është e vërtetë që ka një kohë të gjatë që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës është jo aktiv, sepse nuk ka kuorum. Ne si komision ‘ad hoc’ që jemi zgjedhur në Kuvend, bashkë me partnerët britanez e kemi bërë përzgjedhjen e kandidatëve, do të thotë janë përzgjedhë 6 kandidatë dhe pritet që ata të vijnë në seancë dhe tre prej tyre që marrin me shumë vota do të zgjidhen. Por, nuk e di kjo vonesë pse po ndodhë. Sepse ish dashtë që kryesia e Kuvendit të trajtoj me prioritet pasi që janë rreth 500 lëndë që po presin zgjidhje”, tha Selmanaj.
Deputeti Selmanaj thotë se nuk e di nëse kjo vonesë po bëhet qëllimisht për arsye të përfitimeve personale, grupore apo partiake.
“Nuk e di, nuk mund të paragjykoj, por e vërteta është se nuk ka arsyetim kjo vonesë. Sepse vazhdon të bëhet grumbullimi i lendeve dhe do të ndikojë jashtëzakonisht keq në punën që po e pret Këshillin”, theksoi Selmanaj.
Megjithatë, ai pret që në seancën tjetër plenare që do të jetë me pika të reja në rend dite, të jetë edhe zgjedhja e tre anëtarëve në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Edhe deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, thekson për FaktePlus se është nevojë imediate kompletimi i këtij Këshilli, duke qenë se tash e sa kohë kanë përfunduar të gjitha procedurat si komision ‘ad hoc’.
“Ne si komision e kemi përfunduar më kohë të gjithë procesin dhe së bashku me agjencinë angleze kemi nxjerrë në listë njerëz me të përgatitur dhe profesional. Nevoja është e madhe që sa më parë të kompletohet ky këshill. Për rendin e ditës besojë që nuk jemi ne përgjegjës si deputet pasi vendos kryesia”, ka theksuar Izmaku.
Por, dyshime për ndërhyrje nga pushteti në emërimin e njerëzve të vetë edhe në këtë Këshill, ka deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Ajo thotë se si në çdo institucion, edhe në KPMSHCK, po duan t’i dërgojnë njerëzit e tyre, sepse arsyeje tjera nuk ka kjo vonesë.
“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, është dashur të zgjidhet qysh moti por kjo ende nuk po ndodh pasi kryesia nuk po i sjell emrat në seancë për votim. Komisioni e ka kryer punën e vet dhe tash mbetet në përgjegjësi të kryesisë për të vendosur në rend dite. Sikurse në çdo institucion që do duhej të ishte i pavarur, por që pushteti po ndërhynë, edhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, besoj se për interesa politike të pushtetit po vonohet gjedhja e anëtarëve të rinj në këtë Këshill”, ka thënë Nagavci.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, që nga 21 janari është jashtë funksionit, si rezultat i skadimit të mandatit të tre anëtarëve të tij./FaktePlus