Këshilla e vogël që Maradona ia dha Messit
Legjenda e futbollit, Diego Maradona, ia kishte dhënë një këshillë bashkëkombësit të tij, Lionel Messit, sa i përket gjuajtjeve të lira, e cila i ka ndihmuar yllit të Barcelonës të bëhet një specialist në shënimin e golave nga këto goditje.
Ylli argjentinas arriti t’i shënojë dy gola të jashtëzakonshëm nga gjuajtjet e lira në stadiumin RCDE për t’i ndihmuar skuadrës së tij të fitojë me rezultat 4-0. Kjo ishte hera e parë që Messi i shënoi dy gola nga gjuajtjet e lira në një ndeshje të La Ligës.
Këto dy gola bënë që tani Messi t’i ketë shënuar 19 gola nga gjuajtjet e lira që nga viti 2014, më shumë se cilido klub në top pesë ligat e Evropës gjatë të njëjtës periudhë kohore.]
Gjatë kohës kur Maradona ishte trajner i Kombëtares së Argjentinës, 2008-2010, ai i kishte ndihmuar Messit të jetë më i saktë nga këto ndërprerje, përmes një këshille të vogël, mirëpo shumë efektive, të cilën e ka zbuluar një nga trajnerët në stafin e Maradonës, Fernando Signorini.
“Unë e pashë Messin duke e vendosur topin në fushë. Ai e goditi topin tri herë dhe nuk arriti të jetë i saktë në asnjë prej këtyre tri rasteve. Ai u kthye drejt nesh dhe në shikimin e tij ishte i qartë zemërimi”, ka thënë Signorini.
“Ai u kthye drejt zhveshtoreve dhe unë i bërtita ‘jo’, para se ta përqafoja dhe t’i tregoja se lojtari më i mirë në botë nuk mund të largohet nga një seancë stërvitore në mënyrë të tillë. Diego [Maradona] afrohet dhe ata flasin me njëri tjetrin, dukej sikur të kishte ndaluar e gjithë bota për atë moment”.
“Ai [Maradona] ia vendosi topin në të njëjtin vend dhe pastaj ia dha një këshillë me të vërtetë prindërore. Ai i tha atij që ta largojë këmbën nga topi shumë shpejt kur gjuan topin nga goditjet e lira”.