Kësaj radhe më për toke, liderët s’japin më premtime të parealizueshme
Humbja e besimit te qytetarët për realizimin e premtimeve elektorale, ka bërë që subjektet politike të mos bëjnë premtime të parealizueshme në fushatën parazgjedhore që po zhvillohet kësaj radhe në Kosovë. Hapja e qindra mijëra vendeve të punës, rritja ekonomike mbi dhjetë për qind, liberalizimi i vizave, e shumë premtime të tilla që në zgjedhjet e kaluara kanë qenë premtimet kryesore, kësaj radhe janë eliminuar nga subjektet politike, për shkak të pamundësisë për t’i realizuar ato.
Analistët dhe monitoruesit e fushatës elektorale, thonë se subjektet politike po tregohen më të kujdesshme, duke dhënë premtime të besueshme dhe më lehtë të realizueshme, se sa zgjedhjeve të kaluara.
Kjo, sipas tyre po ndodh për arsye se e kanë parë që qytetarët e kanë kuptuar tashmë që premtimet e mëdha nuk po realizohen dhe mund të humbin vota nëse e bëjnë një gjë të tillë.
Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se subjektet politike kësaj radhe po japin premtime shumë më për toke, se sa herëve tjera.
“Premtimet e partive politike janë shumë me të realizueshme, se sa ato që kanë qenë në fushatat e kaluara. Për shkak se nga e kaluara kemi parë premtime që në realitet kanë qenë shumë të mëdha, si shembull 200 mijë vende të punës, rritje ekonomike 10 për qind, e premtime të tilla që në esencë janë të parealizueshme. Kështu që kësaj here të gjitha partitë politike kanë filluar të japin premtime që janë më për toke, dhe që në esencë mund të jenë të realizueshme në praktikë. Kemi parë që edhe përqindja e rritjes ekonomike sillet 6-8 për qind që pak a shumë e afërt me atë që ka ndodhur, ose nuk kanë thënë që do të hapin vende të punës me numër shumë të madh, e gjëra tjera. Do të thotë kësaj here janë më reale”, ka thënë Demhasaj, shkruan FaktePlus.
Sipas tij, mos lëshimi i partive politike në premtime të mëdha, po ndodhë si pasojë e mësimeve që kanë marrë nga zgjedhjet e kaluara.
‘Po, pikërisht duke parë që me vite të tëra kanë dhënë premtime të tilla e kanë parë që tash këto premtime nuk po zgjojnë interes të votuesit, pikërisht për shkak se nuk janë realizuar dhe tani kanë filluar të japin premtime që janë më praktike dhe që në esencë janë me të realizueshme, pikërisht për shkak të tendencës me tërheq votues”, është shprehur ai.
Edhe Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se premtimet që po i japin krerët e partive politike në fushatën elektorale, janë më praktike, për realizimin e të cilave nevojitet vetëm vullnet.
“Sa i përket fushatës elektorale të këtij viti, vlen të theksohet se për dallim nga fushatat e kaluara, premtimet e partive politike në këto raste janë premtime më praktike, për realizimin e të cilave kërkohet vetëm vullnet për realizimin e të njëjtave. Si shembull për këtë mund të marrim premtimet e fushatave të kaluara kur premtohej hapja e qindra mijërave vende të reja të punës, i cili premtim kuptohej apriori se është i paarritshëm. Në rastin e fushatës zgjedhore të këtij viti, premtimet janë më të kapshme, realizimi i të cilave varet ekskluzivisht nga vullneti politik i secilës parti politike”, ka thënë Shala për FaktePlus.
Liberalizimi i vizave ishte top prioritet në fushatat e zgjedhjeve të kaluara, por kësaj radhe, kandidatët për kryeministër nuk po bëjnë një premtim të tillë më.
Sipas Shalës, asnjëra parti nuk e ka thuajse në agjendë procesin e integrimit evropian.
“Tutje, për dallim nga vitet e kaluara, në fushatën e këtij viti duket se partitë politike nuk e kanë fare në agjendë fushën e integrimit evropian. Në kuptim të kësaj, në fushatë zgjedhore pothuajse nga asnjë parti politike nuk flitet për Agjendën e Reformave Evropiane dhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, si procese këto bazë në rrugën e Republikës së Kosovës në integrimin evropian”, është shprehur Shala.
Megjithatë, përveç trajtimit të disa çështjeve të rëndësishme, Shala thotë se disa procese të tjera pothuajse ekuivalente për nga rëndësia i harrojnë tërësisht.
“Në kuptim të përmendjes së çështjeve të rëndësishme, në këtë fushatë flitet për luftë kundër korrupsionit, veting, përmirësim të performancës së gjyqësorit, edukimin ligjor etj. Por, nga përmbajtja e diskutimeve për këto tema, shihet se partitë politike nuk e kanë shumë të qartë rrugën se si trajtohen këto tema. Ndërsa, janë edhe një sërë temash të rëndësishme, krahas temave që lidhen me integrim evropian, të cilat nuk trajtohen fare në këtë fushatë. Një ndër to është edhe procesi i rishikimit funksional, për të cilin proces pothuajse partitë nuk kanë fare qëndrim. Përderisa flitet për sundim të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, partitë politike duhet domosdoshmërisht të tregojnë se cili është pozicioni i tyre përballë këtij procesi, i cili do të ndikojë në thelb të organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë”, ka theksuar ai.
Kandidatët për kryeministër janë fokusuar në dhënien e premtimeve, siç janë lufta kundër korrupsionit, sh’kapja e shtetit, ruajtja e Kosovës nga ndarja, e premtime tjera që po konsiderohen më reale për t’u përmbushur./FaktePlus