Kërkohet vaksinimi i fëmijëve nën moshën 18 vjeçare
Këshilli i Prindërve në Kosovë ka kërkuar nga qeveria që të marrë vendim për vaksinimin e fëmijëve adoleshentë, për të siguruar një kthim të sigurt në shkolla nga shtatori.
Një kërkesë e tillë, ka ardhur pasi ditëve të fundit, në Kosovë është rritur numri i të infektuarve me koronavirus, sidomos tek fëmijët.
Autoritet shëndetësore të enjten kanë regjistruar 1,009 raste të infektimit, pas testimit të 6,784 personave. Kurse në tre ditët e fundit (10,11 dhe 12 gusht), në Kosovë janë infektuar mbi 300 persona të moshës nga 10 deri 19 vjeç.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300,000 mijë nxënës që vijojnë shkollimin fillor dhe atë të mesëm.
Një problem tjetër me të cilin po ballafaqohet Kosova, është edhe refuzimi i një përqindjeje të madhe të mësuesve për t’u vaksinuar. Deri më tash, Kosova nuk e ka bërë të detyruar vaksinimin e personelit arsimor, kurse deri me 6 gusht, është raportuar se janë vaksinuar 50% e mësimdhënësve.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masa të reja për luftim të pandemisë.
Në mesin e masave, është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator.
Reshitaj: Vaksinimi, kusht për kthim në shkolla
Ymret Reshitaj, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se vaksinimi i fëmijëve, sidomos i mësimdhënësve, është kusht për kthimin e tyre në objektet shkollore dhe me orar normal të procesit mësimor.
“Nga institucionet e Kosovës, kërkojmë që të furnizohen me vaksina edhe për fëmijët nën moshën 18 vjeçare dhe të fillojë procesi i vaksinimit të tyre. Prindërit, vazhdimisht kanë qenë në mbrojtje të interesit të fëmijëve, në mënyrë absolute, prandaj ne presim veprime konkrete të Qeverisë se Kosovës”, tha Reshitaj.
Teoritë konspirative i lënë komunitetet pa vaksinim
LEXONI EDHE KËTË:
Dezinformatat i largojnë komunitetet nga vaksinimi
Vitin e kaluar shkollor, nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, kanë mbajtur mësim në dy grupe, për jo më shume se dy orë, kurse klasat tjera mësimin e kanë zhvilluar në mënyrë të kombinuar: online dhe me prezencë në shkollë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërije Nagavci, ka thënë se ”Ministria është duke i marrë të gjitha masat që viti i ri shkollor, të nisë me prezencë fizike në shkolla”. Sipas saj, studimet kanë treguar se mësimi online dhe ai i kombinuar, nuk kanë treguar rezultatet e duhura.
Edhe disa prindër, e vlerësojnë të domosdoshëm vaksinimin e fëmijëve nën moshën 18 vjeçare.
Sania nga Prishtina, është nënë e tre fëmijëve. Njëri nga ta është në shkollë të mesme. Ajo shprehet se do ndjehet më e sigurt nëse djali i saj do të vaksinohet.
“Unë e shoh të domosdoshëm vaksinimin e fëmijëve”, thotë ajo.
MSH: Po ndiqen me kujdes rekomandimet e OBSH-së
Lidhur më vaksinimin e fëmijëve, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se “do të përcillen me kujdes rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave të tjera kredibile, para se të merren vendime finale.”
“Në nivel ndërkombëtar, vaksina Pfizer është aprovuar për personat mbi 12 vjeç. Kosova ndjek praktikat që bazohen në rekomandime sipas dëshmive shëndetësore dhe ka diskutuar edhe opsione për vaksinimin e personave nën 18 vjeç, apo edhe më te ri, në rast se kanë sëmundje kronike, derisa për vaksinën tjetër AstraZeneca, rekomandohet vaksinimi i personave mbi 18 vjeç”, thuhet në një përgjigje për REL nga Ministria e Shëndetësisë.
Çfarë thotë OBSH-ja?
Siç raporton Organizata Botërore e Shëndetit, Grupi Këshillimor Strategjik i Ekspertëve i kësaj organizate, ka arritur në përfundimin se vaksina Pfizer/BionTech është e përshtatshme për përdorim nga njerëzit e moshës 12 vjeç e lart.
“Fëmijëve të moshës 12 deri në 15 vjeç, të cilët janë në rrezik të lartë mund tu ofrohet kjo vaksinë së bashku me grupet e tjera prioritare për vaksinim”, thuhet në një publikim të kësaj organizate të bërë më 14 korrik.
Po ashtu, më 2 korrik, OBSH-ja rekomandoi që në shkolla duhet të bëhen PCR teste ose test antigjen, për të shmangur mësimet online, në rast të një vale të re të pandemisë së koronavirusit.
Organizata beson se mbyllja e shkollave duhet të jetë zgjidhja e fundit në rast të një shpërthimi në numrin e të infektuarve ose nëse përhapja e infeksionit nuk mund të kontrollohet me ndonjë masë tjetër.
Qehaja: Nxënësit nuk duhet të humbasin më asnjë orë mësimore
Fillimi i vitit të ri shkollor me prezencë të plotë fizike, është prioritet i padiskutueshëm, thotë Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, duke shtuar se nxënësit nuk mund të humbasin më asnjë moment nga mësimnxënia.
”Vaksinimi i mësimdhënësve është i rëndësishëm jo vetëm për shëndetin e tyre por edhe që ky rikthim në shkolla të mund të ndodhë. Vaksinimi i nxënësve në anën tjetër, paraqet vendim që duhet të vijë nga institucione shëndetësore dhe vetëm si rekomandim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)”, tha ai.
Shumë vende kanë filluar vaksinimin e fëmijëve
Disa nga vendet e rajonit dhe në botë, tashmë kanë filluar vaksinimin e adoleshentëve. Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kanë nisur vaksinimin e fëmijëve nga mosha 12 vjeç e tutje.
Edhe disa nga vendet e Bashkimit Evropian, në muajin qershor kanë nisur procesin e imunizimit të adoleshentëve. Rumania dhe Italia kanë qenë vendet e para në BE, që kanë filluar me këtë proces të ndjekur më pas nga Gjermania dhe Polonia.
Komisioni Evropian ka miratuar në muajin qershor përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech për fëmijët 12 vjeç e lart.
Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, e kanë miratuar më herët përdorimin e kësaj vaksine te fëmijët 12 vjeç e lart.
Infektologu Sali Ahmeti, konsideron se Kosova nuk duhet të përjashtohet nga ky proces, nga vendet e Bashkimit Evropian. Ai thotë se studimet tashmë kanë treguar se vaksinimi i fëmijëve kundër koronavirusit, nuk ka ndonjë ndikim anësor.
“Unë nuk shoh asnjë veprim anësor që ndërlidhet më këto teoritë konspirative të vaksinimit. Secili shtet i ka politikat e vaksinimit në raport me kushtet, rrethanat, strukturën e popullsisë. Sa i përket efekteve anësore të vaksinimit, në cilësinë e infektologut, nuk shoh se ka ndonjë lidhje me moshat e reja”, tha Ahmeti.
Ministria e Shëndetësisë ka nisur një fushatë sensibizilimi për të inkurajuar qytetarët që t’i përgjigjen fushatës së imunizimit mbi moshën 18 vjeçare.
Të enjten, autoritetet kanë njoftuar se numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave, ka shkuar në 183.240, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna është 539.752.