Kërkohet të hiqet valuta euro nga Kosova
Biznesmeni kosovar, Burim Piraj, ka propozuar që të hiqet taksa doganore ndaj të gjitha produkteve ‘Made in USA’.
Ai thotë se ky proces duhet të bëhet me arsye që të hiqet nga tregu valuta evropiane Euro.
Sipas tij Euro duhet të zëvendësohet me dollarin amerikan.
“Shumë herët kam parashikuar se Evropa për disa është mëmë e për ne do të jetë njerkë. Prandaj kam pas propozuar shumë herët që EURO të hiqet nga qarkullimi dhe të vendoset Dollari Amerikan. Mirëpo tani në këto rrethana ku ndodhemi kalimi nga valuta Euro në USD do të ishte pak e kushtueshme dhe duhet studiuar mirë situatën si të veprohet, po prapëseprapë Dollari Amerikan ka shumë më shumë perspektivë se EURO dhe ja vlen”, ka shkruar Piraj.
Ai tutje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të liberalizohet tregu i Kosovës me atë amerikanë.
“Derisa ende nuk është vonë! Kosova duhet të merr vendim! Të hiqet çdo taksë doganore për të gjitha produktet made in usa! Të liberalizohet tregu i Kosovës tërësisht me atë AMERIKAN. MUNDËSISHT të kërkohet nga USA njohja e ndërsjellë e të gjithë certifikatave Sanitare, Fitosanitare dhe Veterinare. KJO duhet të bëhet që nesër pasi ka rëndësi shumë të madhe si në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në forcimin e ekonomisë Kosovare, duke u propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe duke u ratifikuar nga Parlamenti i republikës së Kosovës”, thotë Piraj.
Piraj po ashtu ka theksuar tutje se këta hapa do t’i hapnin rrugë vendeve të reja të punës.
“Ky do të ishte një prej hapave më të mëdhenj drejt hapjes së vendeve të reja të punës nga firmat Amerikane që do ta mësyjnë tregun Kosovar për të përdorur si vend për shpërndarjen e prodhimeve Amerikane në pjesët tjera të Ballkanit dhe Evropës dhe për të përdorur fuqinë e lirë punëtore për të prodhuar për tregun Amerikan. Shpresoj që Qeveria Haradinaj ta merr parasysh këtë hap kolosal që do ta fuste në historinë e reformave më të mëdha në vend”, thotë Piraj/FaktePlus