Kërkohet që paga minimale të shkojë në 300 euro
Një ditë pasi Kuvendi miratoi rezolutën për ngritjen e pagës minimale në 250 euro, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale është mbledhur Këshilli ekonomiko-social.
Ministri Skënder Reçica, rezolutën e konsideron si një lehtësim që iu është bërë nga legjislativi, për arritjen e qëllimit të përbashkët: ngritjen e pagës minimale.
Opinioni i zyrave ligjore të ministrisë, kryeministrisë dhe asaj të financave, sipas Reçicës, thotë se nuk do të ketë ndikim në skemat pensionale, por kjo vetëm nëse fillon së zbatuari plotësim-ndryshimi i Ligjit për kategoritë e dala nga lufta.
Megjithatë, kjo çështje mund të mbetet në rend të dytë, pasi që, sipas dikujt, ky ka qenë propozim për vitin 2018.
Ymer Ymeri, që është pjesë e Këshillit ekonomiko-social, jep arsyet se pse shuma prej 250 eurosh tanimë nuk është e pranueshme për ta, e përveç kësaj, kanë edhe kërkesa të tjera, raporton KTV.
Paga minimale në Kosovë, aktualisht është 130 euro për punëtorët deri në moshën 35 vjeçare, ndërsa mbi këtë moshë është 170 euro. /FaktePlus