Kërkohet përjashtimi i Beqir Kalludrës nga rigjykimi i rastit për sulmin në Kuvend
Pas më shumë se dy vjetësh, prej kur ishte kthyer në rigjykim, për herë të dytë ka nisur gjykimi ndaj ish-deputetit Frashër Krasniqi dhe tre aktivistëve të tjerë, të cilët akuzohen për vepra penale të terrorizmit.
Në këtë proces gjyqësor, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, janë duke u akuzuar me pretendimet se ata janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2014, që është kualifikuar si vepër terroriste, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e parë të rigjykimit, mbrojtësi i të akuzuarit Frashër Krasniqi, avokati Tomë Gashi, ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra.
“Në harmoni me klientin tim kërkojmë përjashtimin e juaj si kryetar i trupit gjykues, , por jo të anëtarëve të trupit gjykues dhe atë duke u bazuar në dispozitën e nenin 39 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak se për me qenë më i shkurtë, duke pasur parasysh që në të gjithë kemi qenë për një periudhë kohore të gjatë në këtë gjykim dhe kem vërejtur që ju në cilësinë e kryetarit keni vënë në dyshim paanshmërinë e juaj sipas meje, dhe posaçërisht duke pasur parasysh aktgjykimin e kësaj gjykate të 17.11.2017, dhe duke pasur parasysh arsyetimin e këtij aktgjykimi ku ndër të tjera është e shënuar në faqe 26 që kinse “ekzistimi i një fakti real instinktivisht u pranua, pra në këtë rast fitoj instkti natyror i së vërtetës në raport me vetëdijen dhe se vetëdija kriminale-djallëzore për një moment nuk ishte e kujdesshme”. Unë nuk dua t’i citoj arsyet tjera për shkak se është e panevojshme ngase ka edhe baza të tjera që aktgjykimi i shkallës së parë mund të jetë gjithçka por jo një aktgjykim i paanshëm”, ka thënë avokati Gashi.
Sipas tij, mbrojtja ka bazë të fortë për përjashtimin e Kalludra nga gjykimi i këtij rasti.
Ndërkaq, avokati Ramiz Krasniqi, që mbron të akuzuarin Atdhe Arifi ka thënë se nuk pajtohet me propozimin e avokatit Gashi, për përjashtimin e Beqir Kalludrës nga gjykimi i këtij rasti.
“Për faktin se nuk është aktgjykimi i parë që anulohet dhe unë kujtohej se ju në aktgjykimin e përpiluar në mënyrë të qartë keni shpjeguar provat shfajësuese për të akuzuarit e që janë një mori e tyre dhe të rrallë janë ata gjykatës që e bëjnë këtë. shtë një propozim i një kolegu ku ka ushtruar ankesë dhe ka thënë se të mbrojturit tim për terrorizëm t’i shqiptohet një dënim më i butë”, ka thënë avokati Krasniqi.
Ndërkaq, Beqir Kalludra ka thënë se dorëheqje prej rasteve të tij nuk do të jep kurrë.
“Ndërgjegjja ime nuk do të cenohet në asnjë njeri, nuk varet nga dëshira ime nëse do ta gjykojë këtë çështje apo jo, por unë nuk heq dorë nga asnjë lëndë për ta gjykuar. Vendimet e mia unë i mbroj me jetën time, por sa do të jenë të drejta dhe të padrejta i vlerëson shkalla e dytë. Meqenëse, është kërkuar përjashtimi im, shqyrtimi gjyqësor nuk mund të vazhdojë më tutje, derisa të vendoset nga kryetarja e Gjykatës lidhur me kërkesën e avokatit Gashi”, ka thënë Kalludra.
Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalludra, më 27 nëntor të vitit 2017, kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim.
Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.
Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njejtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Për rastin e aktivistëve të dënuar të VV-së, më 9 shkurt 2018, ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, në fund të së cilës seancë, Kuvendi kishte miratuar disa rekomandime ku kërkohej që për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër, Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë më të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit të po atij viti, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por, që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktoj frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23 e 05 nga parkingu përball Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.