Kërkohet nga SHBA-ja, Policia e Kosovës arreston mikun e Enver Hoxhajt
Policia e Kosovës ka arrestuar Ymer Shahinin, i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 2015 për shkak të dyshimit për dallavere financiare.
Burime të Agjencisë së lajmeve FaktePlus, bëjnë të ditur se Shahini është arrestuar në Fushë Kosovë nga organet e rendit dhe pritet të ekstradohet për në SHBA, vendi që e kërkon si i dyshuar për mashtrim financiare prej 20 milionë eurove.
Policia e Kosovës në raportin e ditës së djeshme ka konfirmuar arrestimin e tij, në bazë të fletarrestim ndërkombëtar, ani pse nuk ka përmendur as emrin dhe as inicialet e të arrestuarit.
“Fushë Kosovë 11.06.2019-01:45. Në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar është arrestuar një mashkull K/Shqiptar, me urdhër të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës të dërguar për media me 12 qershor.
Ndërsa në një përgjigje për FaktePlus, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje, duke thënë se të gjitha rastet i ka trajtuar në raportin 24 orësh.
“Policia e Kosovës i ka bërë publike rastet të cilat i ka trajtuar përmes raportit 24 orësh, përfshirë personat e arrestuar në raste të ndryshme penale, përfshirë ata me urdhërarreste vendore apo ndërkombëtare, si dhe rastet e kundërvajtjeve në trafik”, thuhet në përgjigjën e Policisë për FaktePlus.
Ymer Shahini, është vëllai i gruas së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ymer Shahini, është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor, në New York. Ata akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimit.
Skema e këtij mashtrimi parashihte që fshehurazi të merreshin nën kontroll miliona aksione të kompanisë “Gerova Financial Group Ltd”, të cilat pastaj në mënyrë të fshehtë do të shiteshin.
Në plan ishte që gjysma e këtyre aksioneve të kaloheshin në emrin e Ymer Shahinit.
Vëllezërit Galanis, të cilët janë të akuzuarit e tjerë nga FBI-ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, janë përkujdesur për hapjen e llogarisë së Shahinit: “Shahini Accounts” dhe kaluan aty aksionet e shitura fshehurazi, në mënyrë që në “Gerova” të mos vihej re se kush ishte pronari i vërtetë i tyre dhe Jason Galanis të vazhdonte ta mbante nën kontroll kompaninë “Gerova”.
Ymerit i ishte premtuar një kompenzim i mirë për të vazhduar këtë mashtrim.
Në këtë mënyrë Jason Galanis përfitoi përsëri miliona duke vazhduar ta kontrollonte tregun e shitjes së stoqeve të Gerova’s. Deri në fund të kësaj kurdisjeje ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë.
Në anën tjetër, Ymer Shahini posedon biznes edhe në Kosovë. Ai është pronar i njërës nga kompanitë e licencuara nga ATK’ja për fiskalizim “Printec L.L.C”. Me këtë kompani, Shahini ka fiskalizuar një pjesë të bizneseve të Kosovës. /FaktePlus