Kërkohet nga partitë që të mos i përdorin lajmet e rreme për të fituar vota
Lajme e fotografi të shumta propaganduese janë duke u shpërndarë në rrjetet sociale, derisa kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të fushatës zgjedhore.
“Vota për Kadrinë, është votë për SHIK-un”, “Vota për Vetëvendosjen është votë për mbetjet e PDK-së”, e të ngjashme, janë vetëm disa nga thirrjet që po shpërndahen në internet, e të cilat sponsorizohen në Facebook, raporton KTV.
Shpërndarja e mesazheve e lajmeve të rreme, ka qenë temë e diskutimit në tryezën e organizuar nga Fondacioni KAS dhe “Demokracia Plus”.
Pjesëmarrësit u kanë bërë thirrje partive politike, që të distancohen nga lajmet e rreme.
Për ekspertin e sigurisë kibernetike, Driart Elshani, në vendet si Kosova, shpërndarja e lajmeve të rreme, është situatë më e ndjeshme.
Me qëllim të rritjes së vetëdijes së qytetarëve për lajmet e rreme dhe për mënyrat se si mund të identifikohen ato, është publikuar edhe një broshurë informuese.