Kërkesa e BE-së drejtuar liderëve të partive politike për zgjedhjet e tetorit
Tashmë kur kanë mbetur edhe tri ditë nga data e mbajtjes së zgjedhjeve, zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë në vazhdimësi janë duke bërë thirrje që subjektet dhe liderët politikë të bëjnë fushatë të qetë dhe zgjedhjet të jenë demokratike.
Një gjë të tillë e ka kërkuar së fundmi edhe Bashkimi Evropian, shkruan FaktePlus.
Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq ka thënë për FaktePlus se të gjitha partitë politike dhe liderët duhet të bëjnë fushatë respektuese dhe të ofrojnë programe konkrete për qytetarët.
“Të gjitha partitë politike dhe liderët duhet të sigurojnë një fushatë respektuese të përqendruar në programe konkrete në interes të popullit të Kosovës”, ka thënë ajo.
Madje, ajo ka thënë se Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet të organizohen në mënyrë paqësore dhe transparente.
“Ne presim që zgjedhjet të mbahen në mënyrë paqësore, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Kosovës”.
Ndërsa, duke folur për vendimin e BE-së për dërgimin e misionit vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Kocijançiq ka deklaruar se misioni i BE-së, do të vlerësojë nëse zgjedhjet e tetorit do të arrijnë standardet e BE-së.
Kurse, ka shtuar se ky mision do të paraqesë gjetjet fillestare për procesin zgjedhor të 6 tetorit, vetëm dy ditë pas, më 8 tetor.
“Misioni do të vlerësojë shkallën në të cilën zgjedhjet përputhen me ligjet e Kosovës, si dhe me standardet ndërkombëtare për zgjedhjet. Misioni do të paraqesë gjetjet e tij fillestare në një konferencë për shtyp më 8 tetor”, ka pohuar Kocijançiq për FaktePlus.
E, deri sa ka folur për zgjedhjet e tetorit ajo ka thënë është koha që qytetarët të vendosin për ata përfaqësues që pasqyrojnë vullnetin e popullit.
“Zgjedhjet paraqesin një mundësi për popullin e Kosovës për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike dhe për të siguruar që përfaqësuesit e zgjedhur të pasqyrojnë vërtet vullnetin e popullit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, BE ka vendosur një mision vëzhgimi të zgjedhjeve (MVZ) në Kosovë për të kryer një vëzhgim të paanshëm dhe të pavarur të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.
Vendimi i BE-së për të dërguar mision monitorimi për zgjedhjet e tetorit vjen pas thirrjes së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tek institucionet e Brukselit.
Zgjedhjet janë thirrur pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti, në muajin korrik./FaktePlus