Kërcënimi për paralizim të Kosovës: “Jazëk ju qoftë…sa herë na keni rrejt e s’jeni skuq”
Kanë mbetur edhe pak ditë që në vend të fillojë së zbatuari Ligji i ri për Paga. E ky ligj duket se do t’i sjell probleme Kosovës. Edhe pse shumica e punonjësve nuk e dinë koeficientin e tyre, rrjedhimisht nuk e kanë të qartë nëse do të marrin pagën e njëjtë, do të kenë rritje apo zvogëlim të pagës, shumë sindikata kanë shfaqur pakënaqësi dhe kanë paralajmëruar greve e protesta kundër ligjit. Madje, njëra prej sindikatave po kërcënon se do të ndërmarrin masa që do të paralizojnë gjithë shtetit.
Kanë mbetur edhe pak ditë që në vend të fillojë së zbatuari Ligji i ri për Paga.
Por, që nga votimi i tij në Kuvendin e Kosovës numër i madh i sindikatave kanë shfaqur pakënaqësi të shumta për shkak të koeficientëve se kush çfarë koeficienti ka, shkruan FaktePlus.
Njëra ndër sindikatat që po shpreh pakënaqësi është edhe ajo e shërbyesve civil, e cila assesi nuk po pajtohet me këtë ligj.
Madje, kjo sindikatë ka paralajmëruar edhe greva dhe protesta nëse nuk do të ketë pagë të njëjtë për pozitë të njëjtë apo të ngjashme.
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi në një intervistë për FaktePlus, ka thënë se do t’i mbështes rreth 23 mijë shërbyes civil, pasi grevën dhe protestën e kanë të garantuar me ligj.
“Absolut kjo mundësi nuk do të përjashtohet dhe merreni me mend nëse administrata futet në grevë kemi paralizë të shtetit, kemi pas greva të arsimit po shteti ka funksionu, greva të shëndetësisë shteti ka funksionu, nëse vjen situata që shërbyesit civil, administrata e shtetit futet në grevë nuk do të ketë funksionim të parlamentit, të qeverisë, të ministrive dhe të komunave dhe ta shohim pastaj cili qenka roli i shërbyesve civil që ne jemi lënë në pozicionin gati se të njëjtë me pastrues. Neve veç që nuk na thanë jeni pastrues të këtij shteti, por jo se kemi njerëz që kanë dhënë dhe japin kontribut aq të madh saqë është e turpshme të mos barazohet me nivelin e pagave me të tjerët”, ka thënë ai.
Zymberi Ligjin e ri të Pagave e kanë quajtur “Ligj i të Fortëve”, duke shpjeguar edhe arsyen e kësaj.
“Po aty të fortit bënin gara, kush më i fortë, partitë politike, këtë duhet me thënë ashiqare edhe populli e din shumë mirë, por edhe sindikalistët këtë e kanë vërejtur. Partitë politike ngarendin pas sektorëve të caktuar kush po iu hyn në hatër më shumë që të mund të marrin vota më shumë, kjo ishte përkthy në vota, ngritja e pagave iu shpërbly në ngritjen e votave. Ku ka ndodhur në botë që një kryetar i Kuvendit me dalë dhe me e paralajmëru ngritjen e pagave për sektorin e shëndetësisë, të tjerët janë munduar sektorin e arsimit sepse aty është një kuotë shumë e madhe e votave dhe partitë politike në vazhdimësi kanë bërë gara me i marr sektorët e caktuar”, ka deklaruar Zymberi.
Kryesindikalisti, ka folur edhe rreth mosinformimit të shërbyesve civil për koeficientin që ata do të kenë sipas Ligjit të ri të Pagave.
“Ku me guxu me i informu kur pagat e tyre kanë me dalë shumë qesharake në raport me sektorët e tjerë, sepse ne e dimë se sa e kemi pagën, edhe nëse rritet, te shërbimi civil rritet 46 apo 47 euro, por kur të bëhet një dallim dhe kur të kihet parasysh se sa do ta kenë pagën të tjerët atëherë a jemi ne shtetas edhe administratë e këtij vendi apo cilit shtet tjetër. Nuk e di si guxon me ndodhë ky dallim kaq i theksuar, kuptojeni një sen, një punëtor në administratën e gjyqësisë, të prokurorisë, të shëndetësisë dallon me pagë mbi 250 euro në raport me shërbyesit civil”, ka pohuar Zymberi.
E, derisa ka folur për këto pakënaqësi, Zymberi ka thënë se shumë deputetë të legjislaturës së kaluar i kanë premtuar që nuk do ta votojnë këtë ligj në Kuvend, por që ka ndodhur e kundërta.
“Nëse nisi me emër i kam shumë me i përmend, vetëm mundem me iu thënë shumë jazik iu qoftë, e dinë ata saktë se kush janë, e dinë sa herë ka fol Mursel Zymberi me ta, sa herë e kanë rrejt se kanë me fol, kemi me ngrit zërin, më kanë rrejt, në fakt e kanë rrejt masën edhe tash disa hiq nuk janë kuq me kërku prapë votën, por disa prej tyre se kanë marrë dhe nuk kanë me marr kurrë atë votë”, ka thënë ai.
I, pyetur se kush janë këta deputetë ai nuk ka dashur t’ i përmend me emra.
“Realisht, po du me ia lënë kohës, sepse ata disa u panë që më nuk munden të hyjnë në parlament e as nuk mund të hyjnë, por ishalla edhe të tjerëve nuk do iu jepet mundësia që mendojnë me kontrabandu me fatin dhe djersën e punëtorëve, sepse kjo është e dhimbshme për neve me dalë një njeri me fakultet e merr pagën me koeficient 1.85 e tjetri me një shkollë të mesme 2.5. Cila është drejtësia, a paska aq shumë rëndësi një sektor mbi sektorin tjetër atëherë po rrijmë edhe pa administratë”, ka thënë ai për FaktePlus.
Zymberi, ka deklaruar se për Ligjin e ri të Pagave kanë diskutuar edhe me eksponentë siç thotë ai të qeverisjes së ardhshme, për çka deklaron se edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shprehur gatishmëri për rishikimin e ligjit në sektorë të caktuar./FaktePlus