Këputi gishtin në kompaninë e “Devollëve”, punëtori mbeti i pa aftë për punë
Punëtori i cili mori lëndime të rënda në vendin e punës në fabrikën e dyshekëve të “Comodita Home” në Gjakovë, e cila është pronë e kompanisë “Devolli” gjatë javës së kaluar po vazhdon ende shërimin dhe rehabilitimin në qendrën familjare të kësaj komune.
Punëtori i lënduar M. Llukaci, javën e kaluar këputi gishtin e dorës së djathtë dhe lëndoi edhe tre gishtërinj tjerë, gjatë orarit të punës në fabrikën e dyshekëve pronë e kompanisë Devolli.
Pas shërimit të tij nuk është e qartë nëse kompania do t’i ofroj dëmshpërblim punëtorit të saj, pasi i njëjti cilësohet si i pa aftë fizikisht për punë.
Zëvendës-kryeinspektori i Punës, Agim Millaku, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se punëtori në fjalë është lënduar gjatë procesit të lyerjes së transmetuesit të makinerisë.
Inspektori ka thënë se gjatë kohës së shërimit që i cakton mjeku, kompania për të cilën punonte është e obliguar t’i paguaj shpenzimet si dhe pagën e plotë.
“Inspektori ka dal ne vendin e ngjarjes se bashku me njësinë e hetimeve atje. Punëtori M. Llukaci nga Gjakova është i lënduari. Rasti ka ndodhur me 23 qershor në ora 9:30 në njësinë e prodhimit. Lëndimi ka ndodhur gjatë lyerjes me mast të transmetuesit me zinxhirë të makinerisë, ku i punësuari në mënyrë aksidentale ka zënë gishtat e dorës së djathtë duke ja këputur gishtin e madh dhe duke ja dëmtuar tre gishtërinj të tjerë”, ka thënë Millaku.
Ndërsa, sa i përket dëmshpërblimit për shkak të lëndimit në vendin e punës, sipas inspektorit Millaku, kjo duhet të rregullohet mes palëve, ose ushtrimit të padisë në gjykatë nga pala e dëmtuar për kompaninë ku ai punonte.
“Ky duhet të ushtroj padi civile ndaj kompanisë ku e realizon të drejtën për kompensim në gjykatë. Për pushimin ose kohën që i caktohet nga mjeku, kompania obligohet t’i paguajë pagesën e plotë, për kohën e paraparë më ligj për rastet e lëndimit në vendin e punës. Pala e dëmtuar mund ta përdor raportin e inspektorit për padi civile”, ka thënë në zëvendës-kryeinspektori.
Redaksia e FaktePlus ka provuar të marr përgjigje edhe nga kompania “Comodita Home”, në fabrikën e të cilës u lënduar punëtori në fjalë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Në anën tjetër kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur se pas lëndimit të punëtorit në vendin e punës kompania duhet t’i ofroj një vend pune që i përshtatet atij.
“Punëtori i lënduar është ne rehabilitim e sipër, kompania i ka ofruar disa kushte ato çka mjeket i kane preferuar, janë këto informatat që i kemi në lidhje me këtë rast”, ka thënë Azemi për FaktePlus.
Sipas tij punëtori tani më nuk është i aftë fizikisht për të kryer punën e tij, porse po presin cila do të jetë përgjigja nga fabrika e dyshekëve të “Comodita Home”.
“Punëtori më nuk është i aftë fizikisht për punën që e ka kryer më parë. Deri në momentin kur të stabilizohet ne do të jemi të gatshëm, që të ndërhyjmë që kompania për të cilët besoj se do t’i ofrojnë një vend pune adekuat që mund ta kryej këtë punë, së paku kjo është ide e jona”, ka theksuar Azemi.
Lëndime të punëtorëve në punë viteve të fundit janë shpeshtuar në Kosovë, madje është rritur numri i lëndimeve me pasoja vdekjeprurëse në punë. /FaktePlus