“Kemi bërë mirë që ju kemi rrëzu”, përplasja e Driton Selmanajt me ministren Albulena Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputeti i LDK’së, Driton Selamanaj, janë përplasur dje në Komisionin për Legjislacion, ku Haxhiu po raportonte për marrëveshjen me Danimarkën, për lëshimin e 300 qelive me qira.
Gjatë kësaj mbledhje, Selmanaj ka thënë se Danimarka është njëri nga shtetet hezituese për liberlizimin e vizave për Kosovën, shkaku i vërejtjeve që ka në sundimin e ligjit.
“Dhe mos harroni që shteti danez është njëri nga shtetet hezituese për liberalizimin e vizave për Kosovën, për shkak të vërejtjeve që ka në sundimin e ligjit në Kosovë. Holanda, Franca dhe Danimarka. Po të kërkonin …kam informata më shumë se ju sepse kam qenë përgjegjës për integrime evropiane”, ka thënë Selmanaj.
Pas kësaj deklarate, Haxhiu i është kthyer duke i thënë që të mos bëjë shaka.
“Mos bo hajgare allahile Driton”, i ka thënë Haxhiu.
Selmanaj më pas i ka thënë se ai ka mendimet e veta, derisa e ka sugjeruar që të jetë më serioze.
“Rri serioz sepse unë jam politikan këtu, përfaqësoj parti politike dhe nuk jam person teknik që i përmbushi dhe i plotësoj dëshirat e juve. Unë kam mendimet e mia dhe po i them mendimet e mia”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka thënë edhe se kanë bërë mirë që e kanë rrëzuar Qeverinë Kurti 1, pasi ministrja e përmendi këtë gjatë raportimit.
“Ministrja tha se kur kam qenë unë në Qeverinë Kurti 1, i ka vendos kontaktet e para. Jemi rrëzu…Nejse kanë ndodh procese politike dhe besoj që kemi bërë mirë. E morët edhe ju shpejt, as 5 muaj, na bile 8-9 muaj e shtymë. Këtu jemi, gjatë kena me qenë….është maratonë kjo”, ka deklaruar Selmanaj.
Paqartësi për këtë marrëveshje ka pasur edhe deputeti i PDK’së, Hajdar Beqa. Sipas tij, Qeveria në mungesë të ndonjë marrëveshjeje për zhvillim ekonomik, po e prezanton marrëveshjen për burgje si të tillë.
“Unë mendoj që është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës me e pas një sqarim, as s’jemi këtu cicerona, as me ia mbajt ministres zhagun, por jemi këtu me lujt rolin e deputetit. Në mungesë të ndonjë marrëveshje të mirë për zhvillim ekonomik, po doni me shit zhvillim ekonomik me na i pru 300 kriminelë në Kosovë”, ka thënë Beqa.
Haxhiu ka deklaruar se ka shumë kriminela që janë jashtë burgjeve e do të duhej të ishin brenda.
“Eh more Hajdar sa kriminelin e kemi jashtë e që ish dasht me qenë brenda. Bile kajherë m’jepet përshtypja që ata që janë në burgje hic se kanë vendin aty”, ka thënë Haxhiu.
“Shtini n’burg”, i është drejtuar Beqaj, duke qeshur.
Në fund, Beqaj tha se do të shtohet një numër i madh i veprave penale me ardhjen e këtyre të burgosurve, duke thënë se ata që po vijnë s’janë “as hoxhë, e as haxhi”.
“Po të garantoj që në fund të kësaj marrëveshje na kemi me i shtu një numër të madh të veprave penale që ndoshta në Kosovë janë për herë të parë, sepse këta që vijnë s’janë as hoxhë as haxhi, por janë të burgosur që të garantoj që ka edhe recidivista”, ka thënë Beqaj.
Ndryshe, Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar marrëveshje për lëshimin e 300 qelive me qira. Marrëveshja do të jetë e vlefshme për një periudhe dhjetë vjeçare.