KEK-u i qet në shitje 250 mijë tonë qymyr
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka vendosur t’i dalë kundër Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila kohë më parë ka ndaluar shitjen dhe përdorimin e qymyrit. KEK-u ka vendosur që të qes në shitje 250,000.00 tonë qymyr dhe njofton se shitjen do ta realizoj përmes ofertave publike të mbyllura.
Në njoftimin e bërë në KRPP tregohet se mundësia për të blerë qymyrin është e hapur për të gjithë ofertuesit e interesuar.
Po ashtu, bëhet e ditur se ky aktivitet do të ndërmerret me procedurë të hapur me një zarf.
“Vizita në vendndodhje, e dëshirueshme: datë 22.01.2019 prej orës 10.00- KEK , Divizioni i Prodhimit të Qymyrit, Drejtoria-Hyrja 01, Kastriot. Dokumentet e ofertimit do të dorëzohen nga ofertuesit e interesuar duke dorëzuar dokumentacionin në adresën e cekur më poshtë. Ofertat duhet të dorëzohen jo më vonë se të premten me datën 01.02.2019, deri në ora 13:00”.
Mes tjerash, KEK ka bërë me dije se kontrata do t’i jepet ofertuesit me çmimin më të lartë.
“Autoriteti Kontraktues fton operatorët ekonomik që të dorëzojnë oferta të mbyllura për blerje të qymyrit për sasinë 250,000.00 tonë”.
Kujtojmë se kohë më parë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mori vendim që të ndalohet shitja dhe përdorimi i thëngjillit dhe krejt kjo që të mos ndotet ajri siç po ndodh rëndom gjatë stinës së dimrit./FaktePlus