KEK-u hulumton për thëngjill – mihje të re, në territorin e Fushë Kosovës
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bazuar në një vendim të mëhershëm të Qeverisë së Kosovës, respektivisht atë të vitit 2018, ka nisur e realizuar së fundmi disa shpime, si pjesë e hulumtimeve për gjetjen e thëngjillit e mihjes së re.
KEK-u së fundit ka shtuar punimet, respektivisht ka shtuar shpimet për të hulumtuar gjetjen e zonave të pasura me thëngjill. Këto hulumtime janë realizuar në të ashtuquajturën pjesën e fushës jugore, që janë vendbanime të komunës së Fushë Kosovës.
Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët nga KEK-ut.
Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli ka thënë për FaktePlus se ky hulumtim është duke u realizuar bazuar në një vendim të nxjerrë nga qeveria tashmë në detyrë e kryeministrit, Ramush Haradinajt.
“Na lejoni të ju njoftojmë se Korporata Energjetike e Kosovës është duke implementuar vendimin e Qeverisë Nr.10/57 të datës 17.07.2018, respektivisht me pikën 2. të këtij vendimi Korporata Energjetike e Kosovës obligohet që të bëje hulumtimet shtesë në fushën Jugore”, ka thënë Bucolli.
Tutje ai thekson se shpimet të cilat po realizohen në fushën JUG kanë karakter hulumtues.
Ai tregon se këto shpime sqarojnë në detaje parametrat e thëngjillit në sasi dhe cilësi.
“Në lidhje me programin shpimeve hulumtuese që janë në realizim e sipër, ju njoftojmë se shpimet të cilat po realizohen në fushën JUG kanë karakter hulumtues dhe atë : Gjeologjik, Hidrogjeologjik dhe Gjeomekanik për gjithë fushën e potencuar “FUSHA JUGORE”, pra këto shpime sqarojnë në detaje parametrat e qymyrit në sasi dhe cilësi për zonën e përfshirë në program hulumtues”, thotë Bucolli.
Si do qoftë këto, thëngjilli e mihja e re në territorin e Fushë Kosovës do të vijë në shprehje vetëm pas disa viteve, pasi deri atëherë KEK-u do të vazhdojë të nxjerr qymyrin në mihjet ekzistuese, në bazë të licencës aktuale që e ka.
Ndryshe, më 28 mars të vitit 2019, KEK e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomik nga Shqipëria, “Bindi Sh.P.K; A.L.T.E.A & GEOSTUDIO 2000; PPC Albania Sh.A”.
Oferta e operatorit nga Shqipëria ishte në vlerë prej 2.5 milionë euro, gjysmë milioni më pak se vlera e parashikuar për këtë kontratë.
Në muajin tetor është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës, kurse më 4 nëntor të këtij viti, KEK-u ka nënshkruar kontratën për shpimet në pjesën jugore të minierës së re.
Në këtë tender, KEK-u kishte kërkuar që kompanitë ofertuese të kenë parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 21 nëntor 2018, për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat serbe dhe ato boshnjake.
“Me rastin e ofertimit, çdo OE duhet te ketë parasysh vendimin e Qeverisë me numër 01/76, datës 21.11.2018 për taksen 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnja dhe Hercegovina”, thuhej në njoftimin e KEK-ut./FaktePlus