KEDS tregon se a fiton para nga projektligji për RTK-në
Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se deputetët votuan për t’i zhvatur qytetarët për KEDS në emër të RTK-së. Në një status në faqen zyrtarë në Facebook, LVV mbrëmë ka shkruar se 55 deputete të Qeverisë pra nga PDK, AAK, NISMA, PSD, votuan Projektligjin për transmetuesin publik (RTK) ku detyrohen qytetarët që të paguajnë në faturat e tyre të rrymës plus 2.5 euro, nga të cilat 50 cent për çdo faturë i fiton KEDS, pra rreth 2 milionë e 400 mijë euro të tjera do i falen KEDS dhe do i zhvaten qytetarëve.
Sipas Vetëvendosjes ky projektligj kaloi falë votës së deputetëve që deklarohen si opozitë por po votojnë rregullisht gjithçka të dëmshme për publikun e të nxitur nga deputetët e qeverisë.
Mirëpo, me këto konstatime nuk po pajtohet KEDS. Në një reagim për media KEDS ka treguar se nuk kanë a asnjë përfitim nga ajo taksë.
“KEDS dhe KESCO nuk dëshirojnë në asnjë rrethanë të interferojë në punën dhe vendimet e deputetëve. Por, meqenëse është apostrofuar emri i kompanisë si përfituese nga ky pprojektligj, ne e bëjmë të qartë se nuk kemi asnjë përfitim nga ajo taksë”.
Reagimi i plotë nga KEDS:
Sqarim nga KEDS dhe KESCO për taksën e RTK-së
KEDS dhe KESCO kanë mësuar nga mediat fillimisht se ekziston, pastaj që ka kaluar në lexim të parë projektligji për RTK-në ku parashihet që taksa të inkasohet nga kompania.
KEDS dhe KESCO nuk dëshirojnë në asnjë rrethanë të interferojë në punën dhe vendimet e deputetëve. Por, meqenëse është apostrofuar emri i kompanisë si përfituese nga ky pprojektligj, ne e bëjmë të qartë se nuk kemi asnjë përfitim nga ajo taksë.
Për më tepër, duke e ditur se KEDS dhe KESCO janë kompani të rregulluara nga Zyra e Rregullatorit të Energisë (ZRRE) dhe ky institucion është i themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe i jep përgjegjësi këtij institucioni, kërkojmë nga të gjithë deputetët dhe partitë parlamentare që para se të dalin me konstatime se KEDS përfiton dicka nga kjo taksë, të marrin informacione nga ky institucion.
Cdo kompani e rregulluar, pra edhe KEDS dhe KESCO i kanë të Hyrat Maksimale të Lejuara, sikurse edhe fitimin e rregulluar, pra janë të përcaktuara strikt nga ZRRE.
KEDS/KESCO sqaron për opinionin se janë të fokusuara vetëm në cështjet e energjisë elektrike, përkatësisht distribuimin dhe furnizimin me energji elektrike dhe në asnjë aktivitet tjetër që interferon operimet tona.