KEDS priti në takim përfaqësuesit e SIEMENS dhe Zëvendës Ambasadorin Gjerman, Jan-Axel Voss
Kryeshefi i KEDS, Alpin Dogan, i shoqëruar nga këshilltari ekzekutiv, Fidan Dushi, Drejtori i Departamentit të Sistemit të Operimit, Bujar Jupaj dhe Turan Kocabayraktar, Drejtor për Hulumtim & Zhvillim, Hulumtim, priti në takim përfaqësuesit e SIEMENS dhe Zëvendës Ambasadorin e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Jan-Axel Voss, me të cilët u diskutua rreth situatës elektro-energjetike në vend dhe mundësitë e bashkëpunimit, në veçanti tash në këto kohë krize energjetike.
Dogan informoi të pranishmit me situatën e rënduar energjetike, e cila vijon të mbetet kritike pas zhvillimeve të fundit në botë, derisa theksoi se rritja e nevojës për import të energjisë po e vështirëson edhe më tej sistemin energjetik në vend, për shkak të çmimeve tejet të larta në berza ndërkombëtare.
Kryeshefi Dogan foli edhe për sistemin SCADA të implementuar nga SIEMENS, ku përmes tij tash po mundësohet menaxhimi, monitorimi dhe kontrollimi i 69 nënstacioneve kyçe të tensionit të mesëm gjithandej vendit ndërsa shtoi se synimi i KEDS është që edhe më tutje të vazhdojë dixhitalizimin e rrjetit në Kosovë.
Ndërkaq, përfaqësuesit e SIEMENS, sikurse zëvendës ambasadori Jan-Axel Voss, shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur KEDS, në veçanti tash kur Kosova sikurse edhe shumë vende gjithandej Evropës, po përballen me një krizë energjetike, në mënyrë që të sigurohet kualiteti sa më i lartë i shërbimeve me energji për qytetarët e vendit.
SIEMENS ka qenë dhe mbetet ndër partnerët e rëndësishëm të KEDS, ku në periudhën 2017-2021 përmes sistemit të tyre SCADA, është bërë dixhitalizimi i plotë i 69 nënstacioneve të Tensionit të Mesëm.