KEDS mundëson krijimin e infrastrukturës energjetike në Parkun e Biznesit në Lipjan
Kryeshefi ekzekutiv i KEDS, Alpin Dogan, priti sot në takim kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, me të cilin ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për investime në rrjetin elektrik në këtë komunë.
Nga kjo marrëveshje, që mundëson krijimin e infrastrukturës së nevojshme energjetike në Parkun e Biznesit, do të përfitojë komuna në zhvillimin e afarizmit dhe banorët e kësaj ane me krijimin e vendeve të reja të punës.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, u shpreh tejet falënderues ndaj kryeshefit ekzekutiv të KEDS, Alpin Dogan, dhe për gatishmërinë dhe mbështetjen që KEDS vazhdon ta japë për institucionet lokale.
Në këtë takim, gjithashtu u diskutua edhe për mbarëvajtjen e projekteve që aktualisht janë duke u zhvilluar në Lipjan, e gjithashtu edhe për projekte të reja që parashihen të realizohen në linjat e tensionit të ulët dhe të mesëm.
Krerët e dy institucioneve u zotuan se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje që banorëve të Lipjanit t’u ofrohen shërbime më të mira në furnizim me energji elektrike.
KEDS mbetet kompani e përkushtuar në avancimin e shërbimeve për konsumatorët e vet, sidomos bizneseve.