KEDS investime të mëdha në Prizren
Investimet e KEDS në rrjetin elektrik janë duke vazhduar me dinamikë të lartë të punës nëpër qendra të ndryshme të Kosovës.
Këto investime po mirëpriten edhe nga kryetarët e Komunave ku po realizohen këto investime.
Sot, në vazhdën e takimeve institucionale në nivel komunash, Drejtori për Investime në KEDS, Hasan Ozz i shoqëruar nga Drejtori i Distriktit të Prizrenit, Artan Kazazi dhe nga Menaxheri për punë ndërtimore, Faruk Gjukaj u pritën në takim nga Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Në këtë takim u diskutua për punët të cilat po zhvillohen në qendrën e qytetit të Prizrenit dhe në zonat përreth, ku rrjeti elektrik është duke u vendosur nën tokë. Përmes këtij investimi, KEDS po largon kabllot elektrike në qendrën e vjetër të qytetit të Prizrenit.
Kryetari Haskuka u informua edhe për projektet e fundit që KEDS ka realizuar në komunën të cilën ai udhëheq, nga të cilat kanë përfituar qindra konsumatorë derisa u theksua se KEDS do të vazhdojë investimet me qëllim që rrjeti i vjetër të zëvendësohet me rrjet të ri dhe modern.
Ndërkaq, Kryetari Haskuka shprehi përkushtimi e tij për të vazhduar këtë bashkëpunim, duke u zotuar se do të mbështet projekte të tilla investive të cilat janë në dobi të qytetarëve.