KEDS-i zë një hotel në Prishtinë duke vjedhur 21 mijë e 50 euro rrymë
KEDS-i ka njoftuar se ekipet e kontrollit të tyre e kanë zënë një hotel në Prishtinë duke vjedhur 21 mijë e 50 euro rrymë
Sipas njoftimit, KEDS-i e zuri në vepër pronarin, duke e anashkaluar njehsorin elektrik dhe se pajisjet hoteliere po i shfrytëzonte në të zezën, pa paguar fare për energjinë e shpenzuar.
“Kur KEDS bëri kalkulimet, doli që ai vodhi një sasi të madhe të energjisë elektrike, që në vlera monetare arrin në 21,050.80 euro. Ai detyrohet t’ia kthejë KEDS-it këtë shumë të parave në kuadër të Rikthimit të Humbjeve – si masë e parë ligjore ndaj tij”.
“Kjo nuk mbaron me kaq! Vjedhja e energjisë elektrike është vepër penale, dhe ky konsumator do të ballafaqohet me gjykatat kompetente të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e KEDS-it.
Më tej, KEDS-i tha se Kodi Penal e cilëson keqpërdorimin e e energjisë si vjedhje të shërbimeve, për të cilin dënimi mund të jetë deri në tri vjet burgim.