KDI: Subjektet politike të respektojnë vendimin e Kushtetueses
Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar që të gjitha palët të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të garantojnë tranzicion demokratik të pushtetit
“KDI ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve të vendit që të respektojnë në plotni aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si institucioni vetëm që ka përgjegjësinë për interpretimin e Kushtetutës, dhe i cili është obligativ për të gjitha institucionet në Kosovë.“
KDI në komunikatë thotë se vendimi ka sqaruar shumë dispozita.
“KDI konsideron që vendimi i djeshëm i Gjykatës lidhur me dekretin e Presidentit ka sqaruar disa prej dispozitave dhe parimeve më të ndjeshme që ndërlidhen me formimin e qeverisë, duke evituar situata të bllokimit edhe në të ardhmen.”
Në reagim thuhet se KDI përkrahë protestat por jo nëse ato prodhojnë tensione.
“Është në përgjegjësinë e të gjitha palëve të përmbahen nga gjuha dhe veprimet jodemokratike, duke siguruar tranzicion të qetë të pushtetit, i cili është qenësor për të ruajtur funksionimin e shtetit. KDI rikujton se vendi ndodhet para proceseve të rëndësishme politike dhe sfidave ekonomike, që kërkojnë konsensus dhe funksionalitet të plotë të institucioneve.”
“KDI përkrahë të drejtën e qytetarëve për të shprehur mospajtimet e tyre nëpërmjet protestës, për sa ato janë demokratike dhe nuk prodhojnë tensione të cilat do të mund të dëmtonin të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj.”