KDI: Kuvendi të iniciojë ndryshimet në Rregulloren e punës për të mundësuar zhvillimin e punimeve online
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kërkon që Kuvendi të iniciojë ndryshimet e nevojshme në Rregulloren e punës, për të cilën kërkohen votat e 2/3 të të gjithë deputetëve, për të mundësuar kështu zhvillimin e punimeve në mënyrë elektronike.
KDI deklaron se nevoja për ndërmarrjen e masave specifike, qoftë të distancës fizike apo dhe të vetizolimit, për parandalimin e shpërndarjes së të njëjtit kërkojnë zbatimin e formave të reja të operimit për garantimin e funksionimit të institucionit të Kuvendit, thuhet në komunikatë.
“Janë bërë më shumë se dhjetë ditë që kur Kuvendi ka pezulluar punimet për shkak të infektimit me koronavirus të disa prej deputetëve dhe stafit të administratës së Kuvendit. Në mungesë të testimit, vazhdimi i punimeve brenda ambienteve të Kuvendit bartë rrezik të lartë të shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit. Nevoja për ndërmarrjen e masave specifike, qoftë të distancës fizike apo dhe të vetizolimit, për parandalimin e shpërndarjes së të njëjtit kërkojnë zbatimin e formave të reja të operimit për garantimin e funksionimit të institucionit të Kuvendit. Kjo duhet të ndodh për aq kohë sa ekziston rreziku nga pandemia”.
KDI thotë se ndërprerja e punimeve të Kuvendit është duke i pamundësuar këtij institucioni ushtrimin e kompetencave kushtetuese në raport me procesin ligjvënës, mbikëqyrës ndaj pushtetit ekzekutiv, si dhe të përfaqësimit të interesave të qytetarëve.
“Prandaj është mëse e nevojshme që Kuvendi i Kosovës të ndërmarr nismën për ndryshimin e Rregullores së punës dhe integrimin e mundësisë së operimit të këtij institucioni në format edhe në distancë (online), duke garantuar ruajtjen e shëndetit publik dhe zbatimin e mandatit kushtetues në trajtimin e çështjeve ekonomike e politike me interes për qytetarët”, thekson KDI.
KDI ka përmendur edhe praktikat e vendeve tjera që u janë përshtatur rrethanave të jashtëzakonshme të krijuara nga pandemia, në mënyrë që t’i përmbushin funksionet e tyre kryesore.
“Parlamenti Evropian ka integruar rregulla të reja brenda Rregullores së punës me anë të së cilave ka paraparë zhvillimin e punimeve në distancë të komisioneve dhe seancave parlamentare. Për më tepër, deputetëve iu është ofruar mundësia e përzgjedhjes së formës së pjesëmarrjes në seancë, qoftë fizikisht apo nga distanca”
“Bundestagu gjerman ka ndërmarrë nismë të ngjashme me ndryshimin e përkohësisht të Rregullores së Punës për t’iu përshtatur situatës së krijuar nga pandemia. Për mbledhjet e komisioneve parlamentare, pjesëmarrja në distancë e deputetëve është lejuar deri në fund të muajit shtator. Në të njëjtën kohë është vendosur edhe rregulli i përkohshëm për uljen e kuorumit në 25 % +1 të deputetëve në komisionet parlamentare dhe seanca plenare”, thotë KDI.
“Gjithashtu edhe parlamentet e vendeve të rajonit përfshirë atë të Kroacisë dhe të Shqipërisë kanë ndryshuar Rregulloret e tyre të punës duke lejuar punën në distancë, për tu përshtatur me kushtet e krijuara nga pandemia”
“Në rastin e Kroacisë, Kryesia e Kuvendit ka miratuar disa udhëzime që e mundësojnë punën në formë virtuale, të cilat janë të parapara të mbesin në fuqi deri në përfundimin e pandemisë. Në anën tjetër, Kuvendi i Shqipërisë ka amendamentuar Rregulloren e Punës, duke lejuar zhvillimin e punimeve dhe votimin nëpërmjet platformave virtuale, por duke siguruar autenticitetin e përdoruesve, përkatësisht deputetëve”
KDI thotë se edhe Kuvendi i Kosovës duhet të ndjek praktikat e mira parlamentare të vendeve të BE-së dhe vendeve të rajonit.