Kçiqi i vogël po bëhet me rrjet elektrik komplet të ri
Në hyrje të Mitrovicës, përsaj rruge qëndron një tabelë e varur me një mbishkrim. Ajo të orienton për në fshatin Kçiq i vogël, i cili tashmë po transformohet dhe po bëhet me rrjet komplet të ri të tensionit të ultë dhe të mesëm.
Shtëpitë dy e tre katëshe nga të cilat shihet peisazhi piktoresk i Mitrovicës tash e tutje nuk do kenë më sfidë furnizimin me energji elektrike.
Atje, dhjetëra shtylla të betoni kanë zënë shtatin. E me to, edhe qindra metra kabllo tërësisht të reja janë vendosur. Ndërsa, tre trafostacione të reja që janë ndërtuar, do të mundësojnë që furnizimi me energji të jetë kualitativ dhe i qëndrueshëm për banorët.
E një banor i këtij fshati tregon se si këtu, që nga vitet e 70-ta kur është vendosur rrjeti, asnjëherë nuk është investuar por që investimet e KEDS e kanë gëzuar tej mase.
“Prej viteve 70-ta, këtu nuk ka pas investim. Me një trafo u furnizu komplet fshati. Rrymën e kena pas shumë të dobtë e telat e rrymës nëpër fshat nuk janë kanë hiç të sigurtë.”, tregon Jashar Kajtazi.
Tutje, ai thotë se me këto investime të realizuara nga KEDS, në fshat siguria është më e madhe.
“Tash janë vendos shtyllat e betonit, kabllot e reja e rryma është shumë ma e mirë. Ky investim në rrjet na ka gëzu mjaft shumë neve si banorë se tash jetën e bojna ma lehtë”, përfundoi Kajtazi.
KEDS vazhdon të investoj fuqishëm në rrjetin elektrik gjithandej vendit duke përmbushur zotimin për të qenë sa më afër konsumatorëve me shërbime moderne e kualitative.