Kazakistani e ndalon ish-shefin për Siguri Kombëtare, dyshohet për tradhti
Autoritetet në Kazakistan e kanë ndaluar ish-shefin e Komitetit për Siguri Kombëtare, Karim Massimov, nën dyshimin për tradhti, tha të shtunën Komiteti i Sigurisë.
Massimov, i cili u shkarkua nga detyra këtë javë përderisa protestat u përhapën në mbarë shtetin aziatik, u ndalua bashkë me disa zyrtarë të tjerë, thuhet në deklaratën e Komitetit për Siguri Kombëtare, pa i përmendur emrat e tyre dhe pa dhënë hollësi të tjera.
Dhjetëra njerëz kanë vdekur dhe disa ndërtesa shtetërore janë shkatërruar në Kazakistan nga dhuna më e rëndë që ka shpërthyer në tri dekadat e Kazakistanit si shtet i pavarur, shkruan Reuters.
Pas disa ditëve me dhunë, forcat e sigurisë duket se i morën nën kontroll rrugët e qytetit kryesor të premten. Presidenti i përkrahur nga Rusia, Kassym-Jomart Tokayev, tha se i ka urdhëruar trupat që të qëllojnë për të vrarë në mënyrë që kryengritja të shtypet.
Me kërkesën e presidentit kazak, një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia ka dërguar trupa në Kazakistan në kohën e tensioneve të larta mes Lindjes e Perëndimit. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara pritet të përballen në bisedime rreth krizës në Ukrainë javën e ardhshme.