Katër fshatra të Podujevës në karantinë, mbi 5 mijë qytetarë u kontrolluan për COVID-19 në Merdare
Në komunën e Podujevës vazhdojnë të jenë në karantinë katër fshatra.
Në Kosovë deri më tani janë regjistruar 35 persona me koronavirus, ku fatkeqësisht një person ka ndërruar jetë.
E personi që humbi jetën në betejën me COVID-19, ishte 82-vjeçari nga Podujeva.
Që nga koha kur në këtë komunë janë regjistruar rastet e para me koronavirus, katër fshatra janë në karantinë. Bëhet fjalë për Dumnicën e Epërme dhe të Poshtme si dhe për Llaushën e Epërme dhe atë të Poshtme.
Kryetari në detyrë i Podujevës, Nexhmi Rudari, ka bërë të ditur për lajmi.net, se në përgjithësi gjendja në komunë është e qetë dhe stabile, por që sipas tij, banorët e këtyre fshatrave janë të shqetësuar për shkak të sigurimit të ushqimit. Sipas Rudarit, deri më tani komuna është duke iu siguruar ushqim banorëve, por që në rast se vazhdohet më gjatë kjo situatë atëherë furnizimi do të jetë problem.
“Në karantinë janë Dumnica e Epërme dhe Dumnica e Poshtme si dhe Llausha e Epërme dhe Llausha e Poshtme. Banorët janë pak më të shqetësuar pse vetëm ata janë në karantinë, më shumë e kanë problemin për mungesë të ushqimeve, kryesisht miell mirëpo, ne po ndajmë ndihma. Jemi duke shpërndarë pako ushqimore për familjet atje. Një herë për një herë nuk ka ndonjë vështirësi por, me vazhdua më gjatë kjo situatë, edhe ato familje e kanë më problem pastaj”, theksoi Rudari për lajmi.net.
Ai ka bërë të ditur se përveç katër rasteve të regjistruara me koronavirus në Podujevë, fatmirësisht nuk ka ndonjë rast të ri, por që siç bëri të ditur Rudari për lajmi.net, që nga 25 shkurti në pikën kufitare në Merdare janë kontrolluar mbi 5 mijë e 200 qytetarë.
“Raste të reja nuk kemi të identifikuara. Mund të jap shifrën që deri më tash në pikën kufitare në Merdare, në pikën mjekësore që e kemi prej 25 shkurtit deri më sot, janë kontrolluar mi 5 mijë e 200 qytetarë, do me thënë e kemi në Merdare pikën mjekësore me mjekët e QKMF-së, që funksionojnë me katër ndërrime”, tregoi Rudari për lajmi.net.
Tutje ai ka bërë të ditur se në Podujevë në vazhdimësi është duke u bërë dezinfektimi i hapësirave publike, por që sfidë mbeten pajisjet mjekësore mbrojtëse për personelin mjekësor dhe të tjerët që janë të përfshirë në parandalimin e koronavirusit.
“Problem më të madh dhe shqetësim më të madh e kemi mungesën e mjeteve mbrojtëse si për personelin mjekësor por edhe për të tjerët që janë përfshirë në parandalimin e kësaj sëmundjeje”, theksoi Rudari.
Sa i përket familjarëve të personave të prekur me COVID-19, Rudari ka bërë të ditur se janë në mbikëqyrje të stafit mjekësor.
“Prej anëtarëve të familjeve ku janë të lokalizuar, stafi i ekipit mjekësor nuk vëren simptoma të infektimit. Ne jemi duke i mbikëqyr duke ua dhënë të gjithë ndihmën që kemi me iu dhënë si me ushqime ashtu edhe me dezinfektim”, tregoi Rudari për lajmi.net, i cili shtoi se, dezinfektimi po vazhdon gjatë tërë kohës në këtë komunë.
Duhet theksuar se prej 35 të infektuarve me koronavirus në tërë Kosovën, katër persona janë nga komuna e Podujevës, ku fatkeqësisht edhe viktima e parë është regjistruar në këtë komunë.