Kardinali del pozitiv në testin për koronavirus, Papa Françesku nën vëzhgim
Një zyrtar i lartë i Vatikanit tha të hënën se Papa Françesku është duke u vëzhguar vazhdimisht pasi u takua me një kardinal i cili më vonë doli pozitiv në testin për Covid-19.
Kardinali filipinas, Luis Antonio Tagle, pati një takim privat me Papa Françeskun më 29 gusht. Pasi u kthye në Manila, ai doli pozitiv në testin për koronavirus më 10 shtator, shkruan The Guardian.
“Jemi duke qenë të kujdesshëm. Nuk ka alarm të veçantë, por shëndeti i Papës është duke u vëzhguar vazhdimisht”, tha sekretari i Shtetit, Pietro Parolin.
Papa u flet pa maskë atyre që i shkojnë në takim. Sidoqoftë, javën e kaluar ai u pa me maskë për herë të parë që nga fillimi i pandemisë. Prapëseprapë, ai e hoqi maskën për të biseduar me njerëzit.
Megjithatë, ai ka hequr dorë nga praktika e zakonshme e shtrëngimit të duarve dhe puthjes së foshnjave si dhe ka përdorur dezinfektues të duarve.
Papa ishte testuar për koronavirus në muajin mars, kur një person që jetonte në të njëjtën ndërtesë me të kishte dalë pozitiv.