Karantinë për ata që hyjnë nga jashtë, Gjermania planifikon ta zgjasë izolimin deri në prill
Gjermania mund ta zgjasë izolimin e pjesshëm kombëtar deri në muajin prill. Ky është propozimi i kancelares, Angela Merkel, përballë rritjes së nivelit të përhapjes së Covid-19 në vend, por edhe në Europë.
Raportimi vjen nga media Bild dhe AFP që citojnë një dokument zyrtar federal. Frika e një vale të tretë detyroi në parashtrimin e këtij vendimi, i cili do të diskutohet edhe me liderët rajonalë gjatë të hënës. Kufizimet aktuale duhej të hiqeshin në fund të këtij muaji, por zyrtarët paralajmërojnë zgjatjen e tyre për shkak të qarkullimit të varianteve të reja që rrisin nivelin e përhapjes së Covid-19.
Pavarësisht gjendjes alarmante në Europë, gjermanët nuk I tremben virusit. Mijëra turistë pushtuan Majorkën në Spanjë, si një destinacion për pushime. Por kjo praktikë ka shqetësuar autoritetet gjermane, që e konsideron si një ndër shkaqet e rritjes së përhapjes së virusit pandemik.
Reuters raporton se po shqyrtohet mundësia që të vendoset rregulli i karantinës për ata që vijnë nga jashtë. Qeveria rekomandon shmangien e udhëtimeve, veçanërisht largimet jashtë vendit, vetëm në rastet kur është e domosdoshme.