Karantina dy ditore në Kosovë, kaq qytetarë kaluan vikendin jashtë vendit
Vetëm në javën e kaluar, të Hënën e deri të Premtën në Kosovë janë shënuar mbi 2 mijë e 700 raste të reja pozitive me Covid-19, me një përqindje të lartë, mbi 50% që kanë rezultuar pozitivë nga testet. Po ashtu janë regjistruar 44 viktima. Kjo ka bërë që qeveria e vendit, pas lirimit të masave, t’i rikthejë disa nga ato.
Kështu, nga data 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të së Hënës, u ndalua çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtimen.
Kurse lokalet e gastronomisë u mbyllen po ashtu nga ora 21:00 deri në ora 05:00 të ditës së sotme, teksa në kohën kur iu lejohet veprimtaria do të jenë vetëm në ambiente të hapura.
Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës u obliguan ta reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm.
Po ashtu të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) u ndalua veprimtaria e tyre.
Mirëpo pavarësisht këtyure kufizimeve, kosovarët gjetën ‘zgjidhje’, ata dolën jashtë vendit për të kaluar fundjavën.
Numri i lartë i infeksioneve dhe vdekjeve si pasojë e koronavirusit, si dhe kufizimet, nuk ka ‘frikësuar’ kosovarët që të vizitojnë vendet e rajonit.
FaktePlus ka kërkuar të dhëna statistikore në Policinë e Kosovës në lidhje me numrin e personave që kanë hyrë dhe dalë nga Kosova për në Shqipëri.
Në tri ditët e fundit sipas statistikave të PK-së kanë hyrë 44 mijë e 668 persona nga të gjitha pikat kufitare të vendit si dhe kanë hyrë po ashtu 17 mijë e 708 automjete.
Në të dhënat e Policisë së Kosovës, figurojnë edhe një numër i konsiderueshëm i autobusëve me udhëtar që kanë hyrë në vend. Për tri ditë kanë hyrë 489 autobusë si dhe kanë dalur 373 të tjerë, shkruan FaktePlus.
Për më shumë shihni të dhënat e Policisë së Kosovës:
Në lidhje me këto statistika Policia e Kosovës ka theksuar se nuk është vrejtur fluks i madh i hyrjeve/daljeve të qytetarëve nga pikat kufitare. Ata thonë se këto statistika variojnë njejt me ditët e kaluara.
“ Bazuar në statistikat e evidentuara të ketyre diteve, verehet kryesisht një trend i njejtë i hyrjeve daljeve. Trend ky i cili varioron në shifra të tilla edhe ditëve tjera”, thuhet në përgjigjen e PK-së dhënë FaktePlus.
Në anën tjetër, këto masa janë kritikuar nga ekspertët e ekonomisë. Vlerësohet se deri në 15 milionë mund t’i kushtojë ekonomisë së Kosovës mbyllja e bizneseve për dy ditë, thonë përfaqësues të bizneseve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, pas një takimi që ka pasur me përfaqësues të bizneseve ka thënë të shtunën se masat e marra nga Qeveria për frenim të koronavirusit i konsideron të domosdoshme.
Mirëpo Rukiqi ka thënë se për këto masa nuk janë konsultuar fare nga qeveria.
“Masat janë të domosdoshme, por kemi një problem me masat e fundit që ishin të pakoordinuara dhe pakonsultuara me komunitetin e biznesit, edhe pse në masë të madhe e prekin këtë komunitet. Janë mbyllur mbi 20 mijë biznese në vend. Nga këto masa janë prekur këto biznese. Do të kenë dëme në shifra që mund të mbërrijnë deri në 10-15 milionë brenda një dite”, ka thënë Rukiqi para gazetarëve.
Sipas tij, të gjitha paratë që nuk do të shpenzohen në Kosovë, do të shkojnë në shtetet e rajonit, pasi qytetarët kanë shkuar nëpër to për të kaluar fundjavën.
Ndryshe, masat që janë marrë gjatë vikendit nga institucionet e vendit, nuk do të jenë të vetmet për të luftuar COVID 19. Sot gjatë ditës është paralajmëruar një takim mes Ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe kryetarët e Komunave ku edhe mund të ketë vendime të reja për masa të reja, pasi që numri i të infektuarve është i lartë./FaktePlus
Gastronomët kundërshtojnë masat e vendosura nga Qeveria, paralajmërojnë masa radikale