Kaq milionë euro kërkohen për restaurimin dhe konservimin e kompleksit të Jasharajve
Edhe 22 vjetori i Epopesë së UCK-së, e gjeti kompleksin e Jasharajve, ne gjendje jo të mirë. Kullat që i rezistuan artilerisë serbe, rrezikojnë të shemben nga mos-mirëmbajtja. Ndërkaq, kostoja e restaurimit dhe konservimit është rreth 22 milionë euro.
I bënë ballë plumbave të armikut e vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë ndonëse me vështirësi ngase gjendja e Kullave të rezistencës dita ditës po keqësohet.
“Realisht gjendja e kullave nuk është e mirë. Jo pse nuk ka pasur interesim nga shteti por pasi prioritetet nuk ishin caktuar me kohë dhe nuk është investuar fillimisht në ruajtjen dhe konservimin e shtëpive të rezistencës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bislim Zogaj.
Rreth 22 milionë euro pritet do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës projekti për renovimin dhe konservimin e këtij kompleksi.
“Është paraparë që i tërë projekti, përfshirë kullat, muzeun dhe objektet përcjellëse të kushtojë nga 17 – 22 milionë euro”, deklaroi më tej Bislim Zogaj.
Liburn Aliu nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis ka thënë se komiteti ndërministror i krijuar nga qeveria e kaluar do të riorganizohet dhe puna do të jetë e detajuar.
“Është jashtëzakonisht e domosdoshme që ky komitet të riorganizohet pasi një pjesë e madhe e këtij komiteti ka qenë staf politikë…Detyrë e jona është që të monitorojmë detyrat e këtij komiteti. Mendojmë se është situatë e rëndë. Duhet që sa më shpejt të merren hapat për renovimin e tij”, deklaroi Liburn Aliu.
Aliu tha se do të angazhohen edhe ekspertë të jashtëm për të hulumtuar dhe përpiluar projektin e duhur.
Edhe vizitorët mendojnë se kompleksi ka nevojë për më shumë mirëmbajtje.
“Është hera e dytë që e vizitoj. Më duket se prej 10 vitesh nuk ka ndonjë ndryshim. Ka nevojë për më shumë mirëmbajtje”, deklaroi vizitori Fitor Maliqi.
“Investimi që është bërë as për së afërmi nuk i afrohet meritave që meriton Kamandanti legjendar Adem Jashari”, thotë vizitori tjetër Hasan Gutaj.
Për restaurimin e kompleksit memorial “Adem Jashari” qeveria vitin e kaluar pati themeluar një komitet ndërministror puna e të cilit u pezullua me dorëheqjen e qeverisë.