Kapja e rusëve në Kosovë, a po tenton Rusia destabilizimin e vendit tonë? – Flasin njohës të sigurisë
Njësitet e Policisë së Kosovës para pak ditësh i ndaluan edhe dy shtetas të Rusisë në veri të Kosovës, një burrë dhe një grua, të cilët dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia dhe kanë hyrë në vendin tonë. E rastet e tilla të kapjes së rusëve janë shpeshtuar kohëve të fundit. Njohësit e fushës së sigurisë vlerësojnë se rusët mund të jenë edhe agjentë sekretë, të cilët punojnë për Rusinë, e cila mes tjerash ka për qëllim që në Kosovë e vende tjera të Ballkanit Perëndimor, të ketë destabilizim, krijohet pasiguri e të mbillet urrejtje ndaj perëndimit.
Çështja e ndikimit rus dhe me qëllime destabilizimi në Kosovë e përgjithësisht në vendet e Ballkanit Perëndimor, në vitet e fundit është përhapur në masa shqetësuese.
Janë disa raste kur institucionet e sigurisë së Kosovës kanë identifikuar e arrestuar, por edhe kanë dëbuar shtetas të Rusisë, të cilët dyshohet se kanë ardhur në vend me qëllime të këqija.
E vërejtjen për këtë dukuri e kanë tërhequr si njohës të sigurisë, ashtu edhe liderë të institucioneve.
Lëvizjet e shpeshtuara kohëve të fundit të rusëve në Kosovë, e kanë shqetësuar edhe kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, i cili rreth një muaj më parë pati kërkuar vigjilencë dhe kujdes të shtuar nga Policia e Kosovës, duke theksuar se Rusia ka për qëllim t’i realizojë agjendat e saj edhe në Kosovë.
Së fundmi, (para pak ditësh) institucionet e sigurisë kanë identifikuar edhe dy shtetas të Rusisë në veri të Kosovës, një burrë dhe një grua, të cilët me një veturë me targa të Malit të Zi dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia dhe kanë hyrë në vendin tonë.
Rusët e kapur mund të jenë spiunë – Rusia tenton ta destabilizoj rajonin
Njohësi i fushës së sigurisë, Avni Islami vlerëson se rusët e kapur mund të jenë edhe agjentë sekretë, të cilët punojnë për Rusinë, e cila mes tjerash ka për qëllim që në Kosovë e vende tjera të Ballkanit Perëndimor, të ketë destabilizim, krijohet pasiguri e të mbillet urrejtje ndaj perëndimit.
“Nuk duhet veçuar vetëm Kosovën, por në përgjithësi në Ballkanin Perendimor, duke filluar nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova janë në fokus të politikës ruse në mënyrë që ta shtrijë ndikimin e saj sa më tepër dhe ta rrisë prezencën në këtë pjesë të rajonit. Për ta rritur ndikimin e saj, në vazhdimësi është duke u përpjekur që ta destabilizojë Ballkanin në përgjithësi”, ka thënë Islami për FaktePlus.
Sipas tij, fakti që agjentët e shërbimeve sekrete kamuflohen shpeshherë si gazetarë e pjesëtarë të OJQ-ve, duhet që institucionet të kenë shumë kujdes në identifikimin e tyre.
“Është shumë vështirë të veprohet direkt në personat e dyshuar sepse secili agjent i një shteti tjetër nuk vjen me identitet ose me ID që është duke punuar si agjent, por ata kamuflohen në forma të ndryshme si gazetarë të pavarur ose të ndonjë agjencie të lajmeve, pastaj përmes organizatave joqeveritare të kamufluara kinse në mbrojtje të të drejtave të njeriut, infiltrohen me një vend të caktuar. Institucionet e sigurisë duhet që në vazhdimësi ta përcjellin situatën”, vlerëson ai.
Sipas Islamit, kujdes duhet pasur në gjithë vendin, por me theks në pjesën veriore.
Kjo pasi, siç thotë ai, synimi i shteteve si Rusia është që përmes komunitetit serb të krijohet pasiguri, e kështu të mbillet urrejtje ndaj perëndimit.
“Duke i pasur parasysh vendet e ndjeshme siç është Kosova me popullsi të përzier: shqiptare, serbe dhe të minoriteteve të tjera, përmes pakicës ose komunitetit serb dëshirojnë që ta destabilizojnë dhe ta rritin ndikimin e vet në Ballkan. Duke e bërë destabilizimin e rajonit të Ballkanit dhe duke krijuar një pasiguri tek shtetet e Ballkanit, por edhe në Kosovë, dëshirojnë që në njëfarë mënyrë të mbjellin urrejtje ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila është dhe ka qenë në krah të shtetit të Kosovës dhe me ngulm po e mbrojnë interesin e shtetit tonë”, ka shtuar ai.
Duhet thënë se Rusia në vitet e fundit ka punuar shumë për të kthyer apo për të rritur ndikimin e saj në përgjithësi në Evropë, duke përfshirë këtu vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova.
Edhe vetë ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, ditë më parë paralajmëroi për rritjen e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Rastet e ndalimit të rusëve në Kosovë
E përveç rastit të fundit të kapjes së një burri dhe gruaje ruse, Policia e Kosovës, më 16 dhjetor 2019 pati ndaluar në Aeroportin e Ndërkombëtar në Prishtinë, një shtetas tjetër rus, i cili ishte zënë duke bërë incizime të paautorizuara në aeroportin e vjetër të Prishtinës.
Edhe një tjetër shtetas rus, pjesëtar i UNMIK-ut, në muajin maj 2019, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi është gjendur në afërsi të disa barrikadave, përmes së cilave është tentuar të pengohet Policia e Kosovës, në realizimin e një aksioni.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës që i ka siguruar FaktePlus, vetëm gjatë vitit të kaluar (2019) janë shënuar 147 raste të kalimit të paautorizuar të kufirit, kurse 212 raste kanë qenë në vitin 2018.
Nga Policia thonë se në të gjitha pikëkalimet kufitare dhe në aeroport, i kryejnë obligimet përkatëse ligjore sa i përket kontrollimit të personave që hyjnë në territorin e vendit.
“Policia e Kosovës, në të gjitha pikë kalimet kufitare përfshirë aeroportin, aplikon procedurat e parapara ligjore që e rregullojnë qarkullimin kufitar. Gjatë hyrje-daljeve aplikohet evidentimi dhe kontrolli i dokumentacioneve të nevojshme, (përfshirë vizat për vendet/shtetasit e huaj që kërkohet) mbi qarkullimin kufitar. Evidentimi i hyrje-daljeve të personave është i mbrojtur me ligjin mbi mbrojtjen e të dhënave personale. Në të gjitha rastet kur ndonjë person bie ndesh me ligjin ndërmerren veprime konform autorizimeve ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente”, kanë deklaruar nga Zyra për Media.
Ligji aktual që është në fuqi në Kosovës thotë se kushdo që e kalon vijën kufitare të Kosovës përveç se në vendkalimet e autorizuara kufitare, dënohet me 250 euro dhe burgim deri në gjashtë muaj. Por, nëse kryerësi është i shoqëruar nga një fëmijë apo dikush tjetër gjatë kryerjes së veprës mund të dënohet deri në një vjet burg, kurse nëse ka qenë edhe më herët i dënuar për vepra të ndryshme penale, posedon armë apo municion, apo e bën në kohë të caktuar, mund të dënohet deri në tre vjet burg. E dënimet janë edhe më të ashpra nëse kapet se ka pasur qëllime spiunimi dhe të këqija për Kosovën./FaktePlus