Kapen 300 kilogramë drogë skunk në një kamion në Mal të Zi – FOTO
Autoritetet në Mal të Zi kanë kapur rreth 300 kilogramë lëndë narkotike skunk, në pikën kufitare në Vraçenoviq.
Zyrtarët e Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave, së bashku me zyrtarë të Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, kanë parandaluar kontrabandën e drogës që u kap në një kamion frigorifer që drejtohej nga shtetasi malazez M.N. (1995) nga Nikshiqi.
Gjatë kontrollimit të kamionit, u gjetën 295 pako me drogë, me peshë rreth 300 kilogramë.
Lidhur me rastin, Policia atje ka njoftuar se ka arrestuar të dyshuarin.
“Policët kanë arrestuar një të dyshuar i cili do të dërgohet në Prokurorinë e Shtetit në Podgoricë për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve”, thuhet në njoftim.