Kandidati i PDK-së për kryetarë të Mitrovicës së Veriut fton qytetarët që të dalin të votojnë
Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës për Komunën e Mitrovicës së Veriut, Florent Azemi, ka votuar mëherët në një nga qendrat e votimit në “Lagjen e Boshnjakëve” në këtë komunë.
Me këtë rast, Azemi ka ftuar qytetarët që sa më shumë që është e mundur të dalin dhe të votojnë.
“Me rëndësi është që ky proces të jetë i lirë dhe demokratik. Deri më tani vlerësoj se ky proces ka shkuar mirë dhe besoj se do të shkojë kështu deri në mbyllje të votimit”, ka thënë Azemi.
Që në orët e hershme të ditës së sotme, shumë qytetarë u janë drejtuar qendrave të votimit në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut për të votuar.
Ndërsa, Prokurori i Shtetit ka njoftuar se është duke përcjellë procesin zgjedhor i cili po zhvillohet sot, për kryetar të dy komunave, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.
Në njoftimin e dërguar nga Prokurori thuhet që nga ora shtatë e mëngjesit të sotëm, janë të angazhuar prokurorë kujdestarë, të cilët do të përcjellin për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zgjedhjet lokale, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.