Kaloi një natë në Kosovë, detaje nga kthimi i Kadri Veselit në Hagë
Me një aeroplan privat, Kadri Veseli u nis rreth orës 14 nga Aeroporti i Prishtinës për në Rotterdam.
Lëvizjet në selinë e EULEX-it nisën qysh në orët e para të mëngjesit.
Hyrje-daljet janë të shpeshta në vendin ku përkohësisht po qëndronte i akuzuari i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Pos fjetjes, me gjasë Kadri Veseli kaloi edhe mëngjesin e së martës brenda ambienteve të misionit të BE-së për sundimin e ligjit.
Mirëpo shtimi i pjesëtarëve të ZPS-së gjatë ditës, sinjalizoi se pritet largimi i ish-kreut të PDK-së dhe Kuvendit të Kosovës.
Rreth orës 12 kur u bllokua rruga nga Policia e Kosovës, me forca të shtuara të sigurisë e me 5 makina të EULEX-it, Kadri Veseli po transferohej në Aeroportin e Prishtinës.
Këtu po e priste një aeroplan privat, i cili e solli atë vetëm një ditë më parë.
Pas disa përgatitjeve, rreth orës 14 aeroplani privat u nis nga Prishtina për në aeroportin e Rotterdamit në Hagë.
Kështu, i shoqëruar gjatë gjithë kohës nga zyrtarë të ZPS-së, Kadri Veseli që akuzohet për krime lufte, u kthye sërish në Qendrën e Paraburgimit në Hagë të Holandës, ku po mbahet që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Pavarësisht kësaj kohe, këtij dhe të tjerëve gjithmonë iu refuzua kërkesa për lirim me kusht dhe ende s’ka datë zyrtare për fillimin e gjykimit ndaj tyre.