Kalaja e Novobërdës rrezikon të shembet tërësisht
Mospërfillja e organeve mbikëqyrëse dhe dëmtimet e shkaktuara në muret e jashtme të Kalasë së Novobërdës pas ndërhyrjes me ekskavator, do t’i kushtojnë me kallëzim penal kompanisë nga Beogradi “Koto” dhe përfaqësuesit të saj, të cilin e ka bërë Ministria e Kulturës.
Nga dëmet e shkaktuara në mure, sipas saj, “ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme”. Edhe UNESCO, siç e ka konfirmuar për gazetën Zyra e BE-së në Prishtinë, është pajtuar për ndërprerjen e punimeve restauruese, shkruan sot Koha Ditore.
Kompania serbe “Koto” do të përballet me kallëzim penal disa ditë pasi në mënyrë të paautorizuar ka filluar shembjen e fasadës së mureve të jashtme të Kalasë së Novobërdës.
Ndërkohë edhe UNESCO- ja, që e ka përzgjedhur kompaninë dhe ka mbikëqyrur projektin e rivitalizimit, është pajtuar për ndërprerjen e punimeve restauruese rreth monumentit mesjetar derisa t’i jepet drita e gjelbër nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Kjo ka qenë përgjigjja që ia ka dhënë gazetës Zyra e BE-së pas shqetësimeve që shkaktoi të enjten publikimi i një videoje, ku shihej një ekskavator i kompanisë nga Beogradi teksa e gërryente fasadën e gurtë të një pjese të mureve të Kalasë.
Një ditë më pas, Ministria e Kulturës nëpërmjet një komunikate ka njoftuar për dorëzimin e një kallëzimi penal për përgjegjësit e dëmtimit të monumentit. Nga dëmet e shkaktuara në mure, sipas saj, “ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme”.