Kadriu: S’ka kush e ndalë autostradën e Gjilanit, Abdixhiku po bën filma
Ndonëse me shumë probleme e shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, më në fund në muajin prill të vitit 2018 nisën punët për ndërtimin e Autostradës Gjilan-Prishtinë.
E shuma për ndërtimin e Autostradës ka shkuar duke u ngritur, kjo pasi u tha se në terren kanë dalë punë shtesë.
Kjo është kuptuar pasi ditë më parë Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit që udhëhiqej nga ministri Pal Lekaj e kishte hapur tenderin mbi 110 milionë euro për vazhdimin e punimeve në autostradës për Gjilan, por që për shkak të shkeljeve ligjore është kthyer në rishqyrtim nga ky institucion.
Pas aprovimit të ankesave të të dy operatorëve ekonomikë me pretendime për shkelje në dosjen e tenderit, kjo Ministri ka bërë të ditur se do ta rishikojë dosjen dhe të premten (sot) do ta publikojë atë të përmirësuar.
Mirëpo, ministri aktual i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka thënë se nga sot kanë filluar procedurat për anulimin e tenderit 110.6 milionë euro për ndërtimin e autostradës që fillon nga fshati Banullë i Lipjanit e përfundon tek Dheu i Bardhë në Gjilan.
Këtë vendim, Abdixhiku e mbështet në dy opinione që ka pranuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe nga Ministria e Financave.
Abdixhiku që vjen nga radhët e LDK-së ka theksuar se ky projekt mund të realizohet vetëm pas miratimit të buxhetit.
Mirëpo, ish- zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu nga radhët e AAK-së, ka reaguar ndaj kësaj kërkese të ministrit Lumir Abdixhiku.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Kadriu tha qëllimi i tyre ka qenë që të përfundojnë gjitha procedurat e prokurimit deri në mars, kur edhe do të miratohet buxheti, ndërsa ka theksuar se paratë për këtë projekt janë paraparë me buxhet.
E nismën e ministrit Abdixhiku e ka quajtur të padrejtë Kadriu, i cili konsideron se askush nuk do të mund ta ndalë ndërtimin e Autostradës së Gjilanit.
“Nuk ka kush që mundet ta ndalë Autostradën e Gjilanit punimet duhet të vazhdojnë deri në Dheun e Bardhë. Dhe ne procedurat të cilat i kemi shpall të tenderimit për këtë autostradë të vazhdojnë. E kemi ditë që nuk është aprovuar buxheti, por deri sa të aprovohet buxheti në muajin mars ne t’i përfundojmë procedurat e tenderimit, atëherë të jemi të gatshëm në fillim të punimeve, me përmirësim të kushteve atmosferike – ky ka qenë qëllimi ynë. Dhe është e padrejtë që Autostrada ‘Agim Ramadani’ të ndërpritet. Këtë nuk do ta lejojnë qytetarët e Gjilanit, por as ne si politikanë lokal. Është shpall tenderi, procedurat e tenderimit, këta po duan ta anulojnë njëherë gjoja se nuk ka buxhet, por buxheti aprovohet në mars, ne nuk kemi problem sepse janë të parapara paratë”, tha Kadriu FaktePlus.
Ministri aktual Lumir Abdixhiku gjatë konferencës së sotme për media ka thënë se tenderi i shpallur në janar ka implikime enorme të buxhetit. Prandaj sipas tij, procedurat e tenderimit duhet të ndërpriten deri në miratim të buxhetit.
Por, Kadriu dyshon se ky është vetëm pretekst dhe mund të ketë sërish deklarata për shtyrje, e cila nuk do të pranohet nga ta opozitë dhe qytetarët gjilanas.
“Nëse tash e ndalë, mundet ai në mars me dalë e me thënë nuk kemi pare e po e lëmë pas dy vitesh me bo autostradën deri te Dheu i Bardhë. E kjo është e papranueshme, nuk do ta lejojnë as qytetarët por as ne si politikanë, sepse kemi punuar jashtëzakonisht gjatë dhe kemi bërë që Autostrada “Agim Ramadani” të fillojë së ndërtuari”, tha ai.
Madje, ish- zëvendësministri Rexhep Kadriu pasi konsideron se ndalimi i autostradës është i pamundshëm, thotë se Abdixhiku paraqitjen e sotme e ka pasur vetëm sa për të bërë filma.
“Lumiri veç po do me ba filma. Lumir Abdixhiku nuk mundet me anulu një projekt që daton nga ish- qeverisja e Isa Mustafës. Ne veç e kemi shty, e kemi shpall tenderin dhe kemi filluar punimet në 2017”, është shprehur ai.
Ndërkohë që dinamika e punëve në autostradën Prishtinë-Gjilan, sipas Kadriut kanë mbërritur në 60 për qind të dinamikës.
Kujtojmë se në tenderin mbi 110 milionë euro për vazhdimin e autostradës për Gjilan, OSHP-ja gjeti shkelje të shumta ligjore dhe tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit nisi procedurat për rishqyrtim.
Ky tender ishte pezulluar përkohësisht, pas ankesave që kishin paraqitur operatorët ekonomikë “2A Group” dhe “Jaha Company”, më 24, përkatësisht më 28 janar 2019. Të dy këta operatorë kanë paraqitur pretendimet për shkelje të nenit 7 të Ligjit të Prokurimit Publik që ka të bëjë me barazinë në trajtim, nenin 68 për gjendjen ekonomike dhe financiare, nenin 69 për aftësinë teknike dhe profesionale dhe nenin 71, që ka të bëjë me grupet e operatorëve ekonomikë dhe operatorët e huaj ekonomikë.
“Dosja e Tenderit është duke u përmirësuar, por për shkak të volumit të madh dhe rishikimit të saj në tërësi, Dosja e tenderit e përmirësuar, do të publikohet të premten më datën 7 shkurt 2020”, thuhet në njoftimin për operatorët ekonomikë, të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës.
Akuza ndaj Ministrisë së Infrastrukturës në kohën sa udhëhiqej nga Pal Lekaj, ka bërë edhe Lëvizja ‘FOL’.
Kjo organizatë ditë më parë ka publikuar edhe një raport, ku tregon se sa milionë u rrit çmimi i autostradës Prishtinë – Gjilan.
“Nga monitorimi që FOL ka bërë, së fundmi kemi hasur në katër aneks kontrata që Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar me 4 operator ekonomikë që ishin fitues në tenderin për ndërtimin e mbi 22 kilometrave të kësaj autoudhë. Gjatë vitit 2019, e deri më tani kjo autoudhë e paplanifikuar financiarisht po i kushton buxhetit të shtetit mbi 93 milion euro, pa shtuar këtu edhe miliona të tjerë që kanë shkuar për shpronësime. Nga kontratat përmes procedurës me negocim pa publikimin e njoftimit për kontratë, kanë nënshkruar aneks kontrata këta operator: “GRANIT sh.p.k me 1, 843, 392.24 Euro, Companya Eskavatori Sh.p.k me 1,743, 107.70 euro, Gjoka Konstruksion me 438,190.20 euro, AL TRADE HOLDING L.L.C. me 372,660.42 euro”, u tha në konferencë ku edhe prezantuan raportin e monitorimit nga Fol.
Nga Lëvizja FOL kanë theksuar se është shqetësuese që këto tri aneks-kontrata janë nënshkruar pas dorëheqjes së Qeverisë ‘Haradinaj’.
“Është me rëndësi të ceket fakti që Ministria e Infrastrukturës nuk ka pasur Plan të Menaxhimit të Kontratës, e i cili parashihet të jetë dokument në procesin e prokurimit, që përfshin në vete aspektet organizative, ekonomike, teknike dhe ligjore të menaxhimit dhe përmes së cilit plan bëhet monitorimi i punimeve në terren. Andaj, në si Lëvizje FOL, kërkojmë nga Ministria e Infrastrukturës, si autoritet kontraktues, të sqarojë se mbi çfarë baze të vlerësimit ka nënshkruar këto aneks kontrata me operatorët ekonomikë të lartpërmendur kur mungon ky plani i menaxhimit. Punët dhe shërbimet shtesë, përmes këtyre aneks kontratave, i kanë kushtuar buxheti i shtetit plus 4, 397, 065.32 euro”, u bë e ditur.
Ata kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të ju tregojnë se në çfarë pike kanë arritur hetimet në ndërtimin e kësaj autostrade.
“Gjithashtu, FOL mirëpret pezullimin e tenderit 110 milionësh për vazhdimin e ndërtimit të kësaj autoudhë në një kohë kur vendi ende nuk ka buxhet të miratuar për këtë vit dhe nuk kemi zotim të mjeteve për vazhdimin e ndërtimit të kësaj autoudhë”, u tha në konferencë.
Gjatësia e trasesë së Autostradës A7.1 e cila do të tenderohet (nga Kryqëzimi në Disnivel R6/R7.1(Banullë ) dhe mbaron në Udhëkryqin me rrugën Nacionale N25.2 ( Në Bresalc), është: 22.31km./FaktePlus