Kadri Veseli jashtë Prishtinës, nis turin nëpër qytete të Kosovës
Kreu i PDK’së, Kadri Veseli, ka vizituar sot Kaçanikun e Hanin e Elezit. Aty Veseli ka folur me autoritetet lokale, e u ka treguar se si e mendon PDK’ja rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë.
Lideri i PDK-së ka thënë se “Pakoja Emergjente për rimëkëmbje ekonomike e propozuar nga PDK-ja duhet të miratohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës”.
Sipas tij, me miratimin e kësaj pako do të përfitojnë 70 mijë ndërmarrës dhe 280 mijë punonjës në sektorin privat.
“Jam shumë i bindur se do ta kalojmë pakon emergjentë e cila do t’i ndihmojë jo vetëm familjet në nevojë, por edhe gjithë punëtorët dhe bizneset e prekura në sektorin privat”, ka thënë Vesel.
Zyra për media PDK-së njofton se Veseli po ashtu vizitoi pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me ku u shprehu ngushëllime për vdekjen e oficerit doganor në pikën kufitare në Vërmicë.
Kryetari i PDK-së thuhet se u interesua edhe për funksionimin e kësaj pike doganore, ku me këtë rast, udhëheqësi i pikës doganore në Han të Elezit, Sabit Brava e njoftoi se kryesisht po kthehen qytetarët që ndodhen jashtë Kosovës si dhe po zhvillohet normalisht qarkullimi i mallrave.
Pas qëndrimit në Han të Elezit, kryetari i PDK vizitoi Komunën e Kaçanikut ku ka takuar kryetarin Besim Ilazi i cili e informoi për punën e Komunës në përballje me covid-19.
Sipas kreut të PDK’së, Komunat janë në krye të detyrës dhe po u ndihmojnë me aq sa kanë mundësi qytetarëve në këtë kohë pandemie.
Ai ka thënë se pakoja e rimëkëmbjes ekonomike që e ka propozuar PDK parasheh ndihmë konkrete edhe Komunave që janë përballur me pandeminë.