Kaçaniku, Qeverisë: Problemi me ngritjen e çmimeve zgjidhet duke u marrë me burimin e problemit, jo me pasojat
Themeluesi si dhe drejtuesi i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u marrë me pasojat, por jo me edhe me burimin e problemit, pasi sipas tij Qeveria po merr masa që shprehin dialog me opozitën, për të cilën thotë se nuk ka ide, por as propozime, përveç atyre siç vlerëson Kaçaniku “partiake e populiste”. Në një bisedë për Gazetën Online, Reporteri.net, aktivisti i kauzës së konsumatorit thotë se çmimet ekzistuese në Kosovë, në tregun global janë me të larta se në shtetet e BE-së, por për pagat thotë se janë 10 herë më të ulta se ato të shteteve në Evropë.
Kaçaniku konsideron se në Kosovë 30 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri, për çka thotë se edhe shtresa e mesme është duke u rrezikuar nga falimentimi, teksa vlerëson se çmimet në Kosovë janë shumë të larta, ku përmendet se këto janë jo si pasojë e ndikimit të COVID-19, thotë se këto çmime janë më të larta se në disa shtete të Evropës, por që qytetarët e Kosovës sipas tij i kanë pagat 10 herë më të ulta se në këto shtete të BE-së.
“30%-shi i qytetarit dhe i familjes konsumatore që jetonin në varfëri dhe një e treta e tyre në varfëri të skajshme tanimë ka falimententuar. Tani edhe shtresa e mesme rrezikohet nga falimentimi. Arsye tjetër është fakti se pushtimi 2 vjeçar nga COVID-19 ka lënë pasoja të pariparueshme.
Çmimet ekzistuese, edhe pa ndikimin e COVID 19-shit dhe tregut global janë më të larta se në shtetet e BE-së ndërsa pagat te ne në Kosovë janë për 10 herë më të ulta;
Veprimet / masat që po i ndërmerr Qeveria qendrore (pa asistimin e qeverive komunale), shprehin ballafaqimin me pasojat dhe dialogimin me opozitën e cila nuk ka ide as propozime më të mira përveç atyre partiake e populliste. Këto masa janë arrnime dhe as për nga larg nuk mëtojnë zgjidhjen e problemit. Problemet zgjidhen duke u marrë me burimin e problemit e jo me pasojat. Ato zgjidhen me ligje e jo me udhëzime as me vendime afatshkurtëra. Për to nevoiten pozitë e opozitë e bashkuar e konstruktive e jo imitues “rebelësh insitucionalë” që i shmangen mandatit dhe votës demokratike”, vlerëson ai për Gazetën Online Reporteri.net.
Lidhur me menaxhimin e ngritjes së çmimeve në treg, aktivisti Kaçaniku vlerëson se Qeveria e Kosovës ka dështuar tek menaxhimin i tregtarëve të cilët manipuluan me çmime, teksa përmend se disa politikanë kanë “hise” e aksione në disa prej tyre, dhe thotë se disa janë vetë pronarë, të cilët “thithin” donacione nga disa biznese e markete.
“Qeveria dëshoi tek menaxhimi i tregtarëve të cilët manipuluan me çmime. E vërteta tjetër është edhe më e hidhur: Disa politikanë kanë hise / aksione në disa prej tyre, disa janë vet pronarë e shumë parti politike marrin / thithin / zhvasin donacione e subvencione nga disa biznese, edhe nga disa markete.
Nuk duan ta dijnë se çdo donacion e subvencion i faturohet qytetarit dhe familjes konsumatore. Që të dy kategoritë janë edhe taksapagues e gjenerues të Buxhetit prej nga, jashtligjëshëm finansohen patitë politike – duke i tejngarkuar çmimet dhe standardin / mirëqenien sociale të qytetarit dhe të familjes konsumatore”, thotë aktivisti Kaçaniku për Gazetën Online, Reporteri.net.
Përveç agresionit rus në Ukrainë, themeluesi i “Konsumatori” thotë se “Agresioni COVID 19”, pastaj mungesa e rezervave shtetërore si dhe “paaftësia qeveritare për të krijuar buxhet prodhues e krijues”, janë disa nga arsyet se pse ka ngritje të çmimeve në Kosovë.
“Agresioni’ COVID 19, mungesa e prodhimit të mjaftueshëm vendor, mungesa e rezervave shtetërore, pa aftësia qeveritare për të krijuar Buxhet prodhues / krijues / performues në vend të këtij Buxheti që e kemi e që është Buxhet konsumues, zhvatës dhe indinjues i qytetarit dhe i famljes konsumatore – takspagues e gjenerues të Buxhetit (konsumues) janë arsyeje të ngritjes së çmimeve në Kosovë”, vlerëson ai.
Alternativë për menaxhimin e kësaj ngritjeje enorme të çmimeve në Kosovë, Selatin Kaçaniku liston disa, ku ndër të tjera përmend krijimin e tregut vendor, ngritjen e nivelit të zbatueshmërisë si dhe njohjen e qytetarit dhe e familjes konsumatore.
“Krijimi i tregut vendor / të brendshëm, konform parametrave juridiko-ligjor-socio-ekonomik-komercial-territorial-urban; njohja e qytetarit dhe e familjes konsumatore, e të drejtave të tij kushtetuese-juridiko-ligjore si dhe e të drejtave të tija demokratike, si të drejta demokratike të njeriut / të qytetarit konsumator; ngritja e nivelit të zbatueshmërisë së ligjeve; arritja dhe ngritja permanente e kënaqëshmërisë së qytetarit dhe të familjes konsumatore si dhe të vehet në fokus e veprim konkret e korrekt e gjithë infrastrkturës së cilësisë në nivel të Qeverisë”, shprehet Kaçaniku për Gazetën Online, Reporteri.net.
Veç kësaj, Kaçaniku thotë se tregtarët vazhdimisht përdorin trajta “djallëzore”, në mënyrë që të përfitojnë dhe të zhvasin qytetarin e familjen kosumatore, ku përmend rastin e ngritjes së çmimit të vajit ushqimor, ngritje kjo sipas së cilit ishte mbi 150 për qind.
Ndërkaq, shton se tregtarët edhe në muajin e Ramazanit, duke u munduar t’i “joshin” konsumatorët i ulin disa çmime të disa artikujve, por brenda marketit thotë se ka befasi tjera, teksa përmend se ngriten çmimet e artikujve të tjerë, ku përveç kësaj ata bëjnë edhe cungim të peshës si dhe manipulime të datës së skadencës.
“Tregtarët vazhdimisht përdorin trajta “djallëzore” për ta përfituar, manipuluar, zhvatur…e indinjuar qytetarin dhe familjen konsumatore. Kjo u dëshmua edhe me rastin e arritjes së rekordit Botëror / të Gjinisit në rritjen e çmimit të vajit ushqimor për mbi 150 %.
Gjatë Muajit të madhërishëm të Ramazanit, sa për t i joshur qytetarët konsumatorë, ulen çmimet e disa artikujve. Por, brenda në market na presin shumë befasi tjera. Na presin shumë artikuj të tjerë me çmime të ngritura – jo vetëm nominale por edhe në cungim të peshës, vëllimit, shmangëje nga receptura e deklaruar, manipulimi i datës së skadencës, produktet e kontrabanduara, kushte jasht standardesh”, përfundon ai.
Kjo pasiqë në stoqet e depos së Viva Fresh Store ishin gjetur 100 mijë litra vaj, të cilat ishin fshehur dhe nuk janë hedhur në treg, ku dhe nëpër markete çmimi i një shishe të vajit ushqimor kishe kaluar shumën prej tre eurosh.
Ndërkaq në muajin shkurt të këtij viti, Bordi i ZRrE-së ka miratuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, ku çmimi i energjisë elektrike është rritur për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh.
Ndërsa ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent, njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent./Reporteri.net