Ka vdekur veprimtari Krasniqi
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka vdekur veprimtari i çështjes kombëtare, Nysret Krasniqi, i cili dha kontribut të madh edhe gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.
Vdekjen e Krasniqit e ka bërë të ditur politikani, Bardhyl Mahmuti, i cili ka qenë shok me të ndjerin.
“Në orët e hershme të mëngjesit, sot shkoi në përjetësi Nysret Krasniqi, veprimtar i madh i çështjes kombëtare. Që në vitin 1979, me Nysret Krasnqin ishim angazhuar në shpërndarjen e literaturës që në atë kohë pushteti jugosllav ua ndalonte shqiptarëve në viset e tyre në Jugosllavi. Kjo veprimtari vazhdoi deri në shpërthimin e demonstratave të vitit 1981, në të cilat Nysret mori pjesë aktivisht”, ka thënë Mahmuti.
Ai tregon se i ndjeri Nysret Krasniqi veprimtarinë e ka vazhduar edhe në vitin 1988, ku ishte aktiv në të gjitha organizimet e protestave të viteve 1988-1989 dhe për shkak të rrezikut që të arrestohej, ai u largua nga vendlindja dhe kërkoi strehim politik në Zvicër.
“Edhe në Zvicër vazhdoi veprimtarinë atdhetare. Vlen të veçohet kontributi i madh që dha gjatë luftës çlirimtare në Kosovë si veprimtar i shquar i Fondit Vendlindja Thërret. Qoftë i përjetshëm kujtimi për atdhetarin e shquar Nysret Krasniqi!”.