“Ka dallim shumë të madh”, si e arsyetonte Kurti vizitën e parë te varri i Rugovës
Deri para 17 shkurtit të vitit 2019, Albin Kurti nuk kishte shkuar kurrë për homazhe te varri i Ibrahim Rugovës, duke vazhduar ta kundërshtonte edhe të vdekur presidentin e parë të Kosovës. 14 vjet pas vdekjes së tij, disa ditë pasi u bë kryeministër, Kurti shkoi te varri i udhëheqësit shumëvjeçar të Kosovës dhe LDK-së, por duke lënë të kuptohet se këtë po e bënte vetëm për ta respektuar protokollin shtetëror, duke qenë shef i Qeverisë.
Kurti deri atëherë s’donte t’i vënte theks kësaj çështjeje, duke e konsideruar gjest simbolik dhe të parëndësishëm. Gjatë fushatës para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, Kurti u pyet për këtë dhe tha se te varri i Rugovës s’do të shkojë si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, por vetëm si kryeministër.
“Janë gjeste simbolike ku s’dua ta vë theksin. S’po them që kurrë s’do të shkoj. Ka dallim shumë të madh mes Albin Kurtit të Vetëvendosjes e Albin Kurtit kryeministër. S’do të jem arrogant ndaj opozitës. Madje, do të bashkëpunojë me ta. Unë s’do t’i shaj opozitarët e institucionet, për hir të pozitës që do të kem”, kishte thënë Kurti në shtator të vitit 2019.
Para dhe pas çlirimit, Kurti ishte një nga kundërshtarët e Ibrahim Rugovës. Ai konsideronte se Rugova kishte plan ta pengonte çfarëdo lëvizje çlirimtare.
“Ne e dimë politikën dhe sjelljen e Rugovës, ideja e Rugovës ka qenë ta pengojë dhe të bllokojë çfarëdo dinamizmi të jetës dhe çfarëdo lëvizje çlirimtare dhe rezistencës aktive”, deklaronte Kurti më 2002.
Por në vizitën e parë te varri i Rugovës, Kurti vlerësonte “përpjekjen insistuese dhe institucionaliste (të Rugovës) për liri dhe pavarësi”.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të shpalljes së pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën të zgjedhur me votë popullore me 24 maj të vitit 1992. Një dekadë më vonë më 4 mars të vitit 2002 në Kuvendin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova rizgjidhet përsëri president, president i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo në vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi. U prehtë i qetë dhe në paqe”, kishte deklaruar Kurti pas homazheve te varri i Rugovës në 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë .