Johnson paralajmëron Francën: S’i përjashtoj masat tregtare
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha të shtunën se nuk mund t’i përjashtojë masat për mosmarrëveshje tregtare kundër Francës javën e ardhshme në një përplasje rreth të drejtave të peshkimit, që mund të bëhet pengesë për transportimin e mallrave.
Shefi i qeverisë britanike, i cili do të jetë organizator i një samiti ndërkombëtar për klimën javën e ardhshme, tha se nuk dëshiron që mosmarrëveshja me Francën ta nxjerrë nga binarët takimin e udhëheqësve të 20 ekonomive më të mëdha botërore.
“Nëse ka shkelje të traktatit ose nëse ne mendojmë se ka shkelje të traktatit, atëherë do ta bëjmë atë që është e nevojshme për t’i mbrojtur interesat britanike”, tha kryeministri britanik nga Roma, ku po merr pjesë në takimin e G20-ës, shkruan Reuters.
I pyetur nëse mund t’i përjashtojë javën e ardhshme masat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në të ashtuquajturën Marrëveshje për Tregti dhe Bashkëpunim, Johnson tha: “Jo, natyrisht që jo, nuk e përjashtoj këtë.”
“Por ajo që mendoj se të gjitha duan të shohin është bashkëpunimi mes aleatëve evropianë dhe Emmanuel Macron-it dhe unë e ndaj mendimin e përbashkët se ndryshimi i klimës është një katastrofë për njerëzimin”, shtoi ai.
Franca ka kërcënuar me bllokim të porteve për barkat britanike, pasi disa barkave franceze nuk u është dhënë leje për peshkim në ujërat britanike. Një ministër francez madje ka thënë se vendi i tij duhet ta përdorë gjuhën e forcës, sepse, sipas tij, duket që kjo është e vetmja gjuhë që e kuptojnë britanikët.