Joe Biden zbulon çfarë i sugjeroi ish Presidentit Ghani
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbajti një fjalim nga Shtëpia e Bardhë ku foli për situatën në Afganistan dhe zbuloi bisedën me ish-presidentin Ashraf Ghani.
Biden tha se qeveria afgane dështoi pasi nuk e mori parasysh sugjerimin e tij që të negocionte me talebanët.
“Zoti Ghani këmbënguli se forcat afgane do të luftonin. Por padyshim që ishte gabim”, tha Biden.
Presidenti amerikan pranoi se bota tani po sheh një “kolaps” të qeverisë afgane, por këmbënguli se misioni amerikan nuk supozohej të ishte për ndërtimin e kombit, por për parandalimin e një sulmi terrorist në tokën amerikane.
Biden vijoi të mbronte vendimin e tij për të tërhequr trupat amerikane nga Afganistani dhe pse kur forcat talebane morën Kabulin, bota pa imazhe të afganëve të dëshpëruar që po përpiqeshin të largoheshin nga vendi.
“Unë qëndroj plotësisht prapa vendimit tim. Pas 20 vjetësh, kam mësuar në mënyrën më të vështirë se kurrë nuk ka qenë një kohë e mirë për të tërhequr forcat amerikane”, tha Biden.
Presidenti amerikan kritikoi udhëheqësit e qeverisë afgane për ikjen nga vendi dhe trupat afgane që dështuan në mbrojtjen e vendit të tyre, ndaj veprimi që duhet të ndërmerrte ishte largimi i trupave amerikane.
“E vërteta është, kjo ndodhi më shpejt nga sa kishim parashikuar. Sa gjenerata të tjera të vajzave dhe djemve do të linim të luftonin luftën civile në Afganistan ndërsa trupat afgane nuk do ta bënin?” – theksoi presidenti i Amerikës.
Çfarë ndodhi në Afganistan
Qindra njerëz që vrapojnë teksa përpiqen të kapin avionët ushtarakë në ikje, dhe ndërkohë shtypin njëri tjetrin, këto ishin pamjet nga Kabuli që shokuan botën.
Një kaos i pashembullt, ndërsa pamjet tregonin edhe njerëz që binin nga avionët e tejmbushur.
Të paktën tre persona raportohet të kenë rënë nga avionët, ndërsa 5 të tjerë kanë humbur jetën në përpjekjet e dhunshme për tu futur në avionë.
Ndërkohë të tjerë u panë gjithashtu të vraponin përkrah – dhe para – një aeroplani të Forcave Ajrore të SHBA që po përgatitej për ngritje.
Situata në Afganistan mori kthesën dramatike pasi të dielën me marrjen e Kabulit talebanët shpallën fitoren duke thënë se tashmë lufta ka marrë fund.
Ata festuan në Pallatin Presidencial” në Kabul në zyrën e presidentit tashmë të larguar Ashraf Gani.
Në një konferencë për shtyp talebanët thanë se ata janë gati për dialog me të gjitha zyrtarët afganë por dhe bashkësinë ndërkombëtare
Në reagimet e këtyre të fundit Rusia, Kina kanë thënë se do të mbajnë lidhje me talebanët.
Në një deklaratë të qeverisë kineze thuhet se ata janë të gatshëm të zhvillojnë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunuese me Afganistanin.
Rusia nga ana tjetër ka bërë me dije se ata janë në kontakt me talebanët nëpërmjet ambasadës së tyre dhe se nuk do të nxitohen në njohjen ose jo të qeverisë që do krijohet atje.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për t’u siguruar që Afganistani të mos përdoret më kurrë si një strehë e sigurt për organizatat terroriste. Guterres i kërkoi Këshillit që të përdorë “të gjitha mjetet” për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut në Afganistan.