Jepen detaje pse zbritën udhëtarët nga aeroplani që u nis nga Gjermania për Kosovë
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka sqaruar rastin e shtyrjes së fluturimit të një aeroplani të kompanisë ajrore ALK Airlines (ALK JSC), i cili dy ditë më parë pasi ishte përgatitur të niset nga Gjermania në Kosovë, është detyruar të zbresë të gjithë udhëtarët nga avioni.
Dy ditë më parë, respektivisht më 24 korrik 2019, aeroplani i kompanisë ajrore ALK Airlines (ALK JSC) me regjistrimin LZ-MVK, gjatë fazës së nisjes së fluturimit nga Shtutgarti për në Prishtinë (nr. i fluturimit VBB3208), ka pësuar një rrjedhje të lëngut hidraulik nga aktivizuesi i spoilerit të fluturimit në krahun e djathtë.
Ekuipazhi i fluturimit e ka ndërprerë nisjen dhe ka kthyer aeroplanin në platformë, duke i zbritur të gjithë udhëtarët nga aeroplani, ndërsa kompania ajrore është munduar ta riparojë defektin e shkaktuar.
Mekanikët e angazhuar nga kompania kanë rregulluar defektin dhe përfundimisht, aeroplani është nisur nga Shtutgarti rreth orës 18:40 dhe ka arritur në Prishtinë në orën 20:24, me një vonesë të përgjithshme prej 6 orësh e 24 minutash.
Në një njoftim nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AACK) thuhet se dje inspektorët e këtij institucioni kanë kryer një inspektim SAFA (inspektim në platformë i mjeteve ajrore të operatorëve të huaj) të aeroplanit LZ-MVK të ALK Airlines, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
“Gjatë këtij inspektimi, inspektorët nuk kanë konstatuar ndonjë gjetje që do të ndikonte në sigurinë e këtij mjeti ajror për fluturim”, njofton AACK.
Në këtë rast, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës thotë se është në dijeni për pakënaqësitë e udhëtarëve për situatën e krijuar lidhur me vonesën e fluturimit në fjalë.
“Ne shprehim keqardhje për këtë rast, por njëkohësisht i informojmë të gjithë udhëtarët se sipas legjislacionit në fuqi mund të kërkojnë kompensim nga kompania ajrore për vonesën e shkaktuar”, thuhet në njoftimin e AACK-së./FaktePlus