Jep para e mos ndërto – maratonë tenderësh për objektin e Gjykatës Themelore në Novobërdë
Janë bërë më shumë se tri vite prej kohës kur Ministria e Administratës Publike (MAP) kishte nisur së realizuari projektin për ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore në Novobërdë. Madje, për këtë objekt, ministria kishte paguar kompaninë ‘Visioni Project’ për punët që nuk i kishte bërë, por tani siç merret vesh është shkëputur kontratën me këtë operator.
Në emër të kontratës për ndërtimin e objektit të kësaj gjykate në 2017-tën ishte bërë pagesa prej 43 mijë e 931 euro për situacionin e katërt.
E tash së voni kjo ministri hapi sërish tenderin për vazhdimin e punimeve të objektit të Gjykatës që kap vlerën e 400 mijë euro.
Mirëpo, e njëjta ministri sërish ka njoftuar se është anuluar ky tender, me arsyetimin që ofertat e pranuara për tenderin “nderimi i Gjykatës Themelore në Novobërdë-vazhdim i punimeve” tejkalojnë vlerën e parashikuar.
“Ndërtimi i Gjykatës Themelore në Novobërdë-vazhdim i punimeve është anuluar mbështetur në Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), neni 62, sepse të gjitha ofertat e pranuara për këtë AP, tejkalojnë në mënyrë substanciale vlerën e parashikuar të kontratës, saktësisht rreth 50% tejkalojnë vlerën e planifikuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Administratës Publike.
Kurse në Ministrinë e Administratës Publike kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se vlera e parashikuar e projektit ka qenë 600 mijë euro.
Zëdhënësi i MAP, Zeqir Bekolli ka treguar shkëputja e kontratës me kompaninë NPN ‘Visioni Project’ Gjilan është bërë për shkak të punimeve të ulëta.
“Vlera e parashikuar e projektit ka qenë rreth 600,000.00€. Vlera e kontratës se nënshkruar me OE NPN. ‘Vision Project’ Gjilan ka qenë 412,406.05€ me plan dinamik për 24 muaj dhe ka filluar se realizuari me datën 30.06.2016. Gjatë kësaj periudhë janë realizuar punime në vlerë prej 198,000.00€. Pasi që dinamika e punimeve ka qenë shumë e ulet dhe OE nuk iu është përmbajt planit dinamik, më 25.04.2019 është marrë vendimi për shkëputjen e kontratës”, thuhet në përgjigjen e Bekollit dhënë për FaktePlus.
Ai ka treguar edhe pse është bërë riinicimi i procedurave për vazhdimin e punimeve.
“Pas shkëputjes së kontratës është riinicuar procedura në vlerë prej 400,000.00€ në funksion të përzgjedhjes se një operatori të përgjegjshëm, i cili do të përfundojë suksesshëm punimet”, tregoi ai.
Deri sa punët për ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore në Novobërdë po vazhdojnë të zvarriten, Ministria detyrohet të paguaj qira 1500 euro për objektin ku aktualisht po ushtron funksionimin e saj Gjykata.
Hipokrizia kishte qenë që zëvendësministri tani në detyrë i MAP-it, Sami Hajdaraj me zyrtarë të ministrisë kishte vizituar kantierin e punimeve nga afër, për çka kishte deklaruar se punimet janë drejt finalizimit.
Raporti i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (2018) për këtë ministri kishte gjetur që mbikëqyrësit e saj kanë pranuar situacione të ndryshme si të kryera, teksa punët nuk ishin askund e paratë ishin derdhur në llogari.
Kurse, në emër të kontratës për ndërtimin e objektit të kësaj gjykate në 2017-tën ishte bërë pagesa prej 43 mijë e 931 euro për situacionin e katërt. Por, ekzaminimi i projektit në terren më 13 mars të këtij viti kishte vërejtur që në tri pozicione të cilat kishin të bënin për punimet e dyerve dhe dritareve nuk ishin kryer, ani pse ato ishin pranuar si të kryera dhe për to ishin dhënë para. Shuma e parave që është dhënë për to ishte 9 mijë e 440 euro./FaktePlus