Jashtë funksionit linja e hapur nga Ministria për t’u informuar rreth pagesave
Ministria e Financave dhe Transfereve ka nisur nga dje ekzekutimin e pagesave për masën 15 të pakos emergjente për rreth për 5,559 përfitues.
Gjatë ditës, kjo Ministri ka njoftuar po ashtu se kanë hapur një linjë të veçantë të informimit rreth pakos emergjente dhe ankesave.
Mirëpo, qytetarët janë ankuar se numri që ata kanë vënë për të telefonuar në këtë linjë është jashtë funksionit.
Një prej tyre ka thënë për Reporterin se ka telefonuar disa herë, mirëpo numri vazhdimisht ka qenë i paqasshëm. Brenda një minuti, ai e ka përsëritur disa herë këtë numër, mirëpo pa sukses.
Për ankesa të tilla, qytetarët kanë shkruar edhe në faqen e Ministrisë së Financave në Facebook, në postimin ku njoftohet për hapjen e kësaj linje.
080044440 është numri i linjës së hapur për informim të individëve/bizneseve lidhur me statusin e aplikacionit të tyre.
Kujtojmë se një numër i madh i qytetarëve kanë aplikuar për të përfituar nga pakoja emergjente dhe mbase për shkak të ngarkesës, kjo linjë është bllokuar për momentin.
Ministria dje ka njoftuar se afati i fundit për të dërguar ankesat është 15 qershor.