Jashari inspekton punimet që po bëhen në asfaltimin e rrugës së fshatrave rreze Qyqavicës
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, bashkë me zëvendësin e tij, Nuredin Lushtaku, kanë inspektuar punimet që po bëhen në realizimin e projektit për asfaltimin e rrugës që lidh disa fshatra rreze Qyqavicës.
Kjo rrugë ka një gjatësi prej 15 kilometrave dhe ka nisur së realizuari para disa ditëve.
“Së bashku me nënkryetarin Nuredin Lushtaku dhe inxhinierët e Komunës, kemi inspektuar punimet e projektit në realizim e sipër të asfaltimit të rreth 15 kilometrave, nga fshatrat rrezë Qyqavicës, që vazhdon përgjatë fshatrave të Komunës së Vushtrrisë, ku edhe është përfundimi i këtij projekti”, ka shkruar Jashari në rrjetin social Facebook.
Kreu i komunës së Skenderajt ka shtuar se kjo rrugë synon të krijoj edhe një korridor tjetër të lidhjes së Skenderajt me Vushtrrinë.
“Ky projekt ka nisur ditë më parë, dhe synon që, veç asfaltimit të rrugëve të fshatrave tona, të krijojë edhe një korridor tjetër të lidhjes Skenderaj – Vushtrri, duke shkurtuar distancat ndërmjet vendbanimeve”, është shprehur ai. /FaktePlus