Jasharaj: Greva vazhdon, me linçimet që më u bënë s’po guxoj të dal në rrugë vetë
Kreu i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva e përgjithshme e thirrur në BSPK më 25 gusht, është për faj të Qeverisë së Kosovës dhe ai ka shtuar se greva nuk do të përmbyllet derisa nuk plotësohen kushtet.
Jasharaj në Komisionin për Arsim ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka treguar interesim për dialog dhe madje kryeministri Albin Kurti, edhe ka bullizuar me të para mediave e parlamentit.
Jasharaj po ashtu ka përsëritur se nuk do të takohet më me asnjë institucion pa prani të mediave, pasi po ia ndryshojnë fjalët e po ironizohet me të.
Jasharaj ka thënë se po goditet integriteti i mësuesve, përfshirë edhe atyre të viteve 90-ta, në mesin e të cilëve është edhe vetë ai.
“Qeveria me barrikadimin që po bën, injorancën totale ndaj sindikatave, vlerësojmë se ka tendencë ta ngulfatë e të shuajë sindikatat dhe zërin sindikal”, ka thënë Jasharaj. “Fatkeqësisht me qëllime degraduese për mësuesin, është vënë në pah të parë diçka që nuk ka qenë kërkesa jonë fillestare, ajo 100 euro. Aq është dramatizu dhe deformu kërkesa legjitime, që rrodhi nga procesi”.
Jasharaj ka thënë se më 30 nëntor ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i kishin kërkuar të mos përmendet greva deri në mars, duke thënë se atëherë do të dërgohet në parlament Ligji i Pagave. Por ai thotë se nuk ka ndodhur kjo dhe Ligji i Pagave nuk erdhi.
“Tendenca për të degraduar mësuesin janë deklaratat e vazhdueshme të Qeverisë se këta po lypin veç pare, jo ne kemi lyp të jemi pjesë në dialog të barabartë, ligjin e pagave, sigurimet shëndetësore”, ka thënë Jasharaj. “Po ashtu të hiqet ai kriter diskriminues për 15 vjet stazh”.
Jasharaj ka thënë se në takim që Këshill Grevist pati me kryeministrin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati e ministren Nagavci, nuk kishte asnjë rezultat.
“Ishte takim i stilit unë kam thënë, e stil merre ose lë”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka thënë se kryeministri ka përdorur fjalën “vëlla” për ta bulizuar.
“Unë në takim përdora fjalën ‘vëlla’ pasi në Kosovë kur dualm të flasim pa hile i themi po bisedojmë si vëllezër. Kryeministri shihet se nuk e çan kokën për situatën, por po krijon satirë e humor. Më bullizojë në Parlament duke thënë erdh mu lut si vëlla. Si ka dashur t’i lutem, ai nuk e përmendi fjalinë e dytë kur i thash vëlla e kryeministër bëje të pamundurën për zgjidhje”, tha Jasharaj.
Ai ka thënë se greva ka pasur edhe në qeveritë e kaluara, por nuk ka pasur presion të tillë.
“Në Qeverinë Haradinaj tri javë kishim greva, por nuk është bërë asnjë presion. Kishte takime e takime, ai bëhej nervoz me ne. Ishte i njëjti Jasharaj edhe atëherë. Dikur kishim Rrahman Jasharajn në debate herë pas here, tash në Kosovë po bëhen debate për Rrahman Jasharajn. Tash s’mund të dal në rrugë për shkak të mosdistancimit të Qeverisë duke nxitur diskutime. Duhet shokët të më përcjellin në këtë moshë, ndihem i pasigurt me inskenime të cilat më i bënë në shkollë, ku njerëzit duartrokitën, por dy kolege, që dolën se ishin të Vetëvendosjes kërkuan ta ndalojë grevën. Ai plaku i ngratë nuk e dinte se Rrahman Jasharaj se ka shpallur e nuk e mbyll grevën. Anëtarësia pa u plotësuar kërkesat se mbyll grevën, e i vetmi fajtor për këtë është kryeministri e Qeveria”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka thënë se u dol me pako të ndihmës pa u konsultuar fare me sindikatat.
“Po më bjen kurë që kur vdes do të mbesin fjalët që kam lënë. Po më bëni hero të kohës duke më sulmuar. Do të shkojë në varr si hero i kohës së shekullit XXI e ku kryeministër ishte Albin Kurti”, tha Jasharaj.
Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj ka thënë se duhet zhveshur nga logjika e inateve.
Sipas saj, duhet menduar pasojat për shkak se është rrezikuar viti shkollor.
“Situata e grevës ka kaluar kufijtë e brendshëm, një sindikatë evropiane është detyruar të vijnë të na zgjidh situatën. Unë pajtohem me kërkesat e SBASHK-ut”, ka thënë ajo.